Loading...

Dajti magjia e ‘ballkonit te bardhe’

Në zemër të stinës së dimrit, në zemër të Tiranës, dhe në zemër të natyrës, kemi vendosur t’ju udhëheqim këtë radhë drejt një destinacioni shumë të afërt e që besojmë se nëse keni vizituar Tiranën, keni qenë patjetër edhe në Dajt.
Mali i Dajtit, me atë kurrizin karakteristik në formën e një deveje, është quajtur me plot meritë “ballkoni i Tiranës”, për pamjen e bukur që të fal në çdo stinë të vitit, ku mund të shihet edhe vija e horizontit të detit të Durrësit, sidomos në ditët e kthjellëta e të lara të pranverës.
Por ne donim të provonim edhe kënaqësinë e dëborës dhe vendosëm t’i bëjmë një vizitë në fund të dhjetorit. Për fat të keq nuk e merrnim dot rrugën automobilistike, sepse kushtet e saj janë përkeqësuar mjaft e mbi të gjitha akulli në rrugë nuk na lejonte të ngjiteshim lart. Kështu, për të mos pasur një aventurë të pakëndshme, që nuk do të na linte të shijonim dëborën, iu drejtuam teleferikut, për ta prekur edhe më shpejt nga ajri.
Udhëtimi me teleferik është një kënaqësi më vete, sidomos momenti i shkëputjes nga stacioni, sepse çdo zhurmë humbet dhe ty të duket një çast sikur do të biesh. Pastaj mbetesh vetëm ti dhe natyra, kuptohet, edhe bashkudhëtarët e tu, që shikojnë edhe ata përtej transparencës plastike ku shumë të tjerë para nesh kanë lënë gjurmët e emrave të tyre. Poshtë natyra është shumëngjyrëshe, sepse nga lart dëbora të lejon të shohësh atë çka nuk ka mbuluar dot, gjethet e thara të mbetura aty-këtu nëpër pemë, ndonjë lëndinë me reliev të thyer, copa shkëmbi vertikal që zbulojnë grinë e tyre dhe shkurre ku të blerta e ku të ndryshkura që plotësojnë mozaikun. Liqeni i vogël të ndjell ftohtë por në kabinën e teleferikut është shumë ngrohtë dhe këndshëm, ndonëse koha e udhëtimit është shumë e shkurtër, vetëm 15 min.
Mbërrijmë më në fund në stacionin e sipërm, ku vizitorët janë të shumtë. Askush nuk kishte ndër mend ta linte pa e shkelur borën e Dajtit. Këtë e pamë, sapo dolëm nga kulla e xhamtë e teleferikut dhe zbritëm në sheshin e parkut të Dajtit. Shumë zëra njerëzish, të vegjël e të mëdhenj, thërrisnin gëzueshëm, teksa shkëmbenin me forcë topat e borës. Dikush ishte kujtuar të bënte edhe një babagjysh, rreth të cilit tani vinin rrotull tre-katër fëmijë. Në buzë të rrugës që kalon pranë sheshit, dy kuaj prisnin duke shkrofëtitur e nxjerrë avull nga hundët e nga goja. Ai që u mbante frerët, thërriste: “Hajde mirësevini, bëni një xhiro me kalë, dymijë lekë, dymijë lekë”…
Pak më larg burrit me kuaj ishin rreshtuar fugonët që transportonin falas klientët që kishin zgjedhur të shkonin më poshtë për të drekuar tek qendra turistike “Panorama”, tek kompleksi “King Park” apo tek restoranti karakteristik me atë basenin e bukur të peshqve “Gurra e Perrisë”.
Tre djem ishin kujtuar të merrnin me vete pajisjet e skive (sa zili i pata në atë moment) dhe po i mbathnin. Me shkopinj në dorë, ata u drejtuan poshtë luginës, atje ku po bëheshin gati të rrëshqisnin me ski. Ne nuk kishim ski me vete, por do të shijonim gjithsesi ngrohtësinë e Ballkonit të Dajtit, ku mishi i pjekur dhe picat me furrë druri, ishin kryefjala e atyre që kishin zgjedhur të pushonin pasivisht, duke shijuar dëborën nga dritaret.
Në fakt ishte shumë bukur ta shijoje dëborën edhe nga dritaret e Ballkonit të Dajtit, sado që, ne do të kishim dashur të kishim me vete edhe ndonjë palë ski. Por në fund të drekës, vendosëm gjithsesi të bënim një shëtitje në pyll. Dëbora nuk kishte shtresëzuar aq shumë sa të humbisje në të, mund të lëvizej edhe nëpër shtigjet e pyllit me ahe. Dhe vërtet ashtu bëmë. Nuk kishte kënaqësi më të madhe sesa të dëgjoje zhurmën e butë të çizmeve e këpucëve që zhyteshin në bardhësi. Ndonjë trumcak që lëvizte nëpër degë e shkundte një vrundull dëbore, ishte e vetmja zhurmë që prishte qetësinë e pyllit në ato momente.
Ja pra sesi u dashka fare pak, për të provuar kënaqësitë e thjeshta të jetës, një biletë për të udhëtuar me teleferik, një picë në furrë druri dhe një shëtitje në dëborë, ku takimi me natyrën kthehet në një takim me kënaqësinë. Mjaftojnë ca flokë dëbore për të të kujtuar se edhe fare pranë mund të argëtohesh pa masë, pa qenë nevoja që të ngresh valixhet e të shkosh për pushime. Faleminderit Dajti…

Parku kombëtar i Dajtit

Është një 15 parqet kombëtare të Shqipërisë, i vendosur në lindje të kryeqytetit. Parku zë një sipërfaqe prej 3300 hektarësh dhe është destinacioni më i frekuentuar ditor i kryeqytetasve por edhe i vizitorëve të shumtë. Një nga parqet më të mëdhenj kombëtarë të Shqipërisë, ai bëhet gjithmonë objekt vizitash edhe për ata që në Tiranë nuk vijnë për turizëm po për punë ose aktivitete të ndryshme.
Vera në Dajt është e freskët dhe dimri është i ftohtë, kryesisht me dëborë. Temperaturat gjatë dimrit arrijnë edhe në minus. Reshjet janë të bollshme gjatë të gjithë vitit, por kryesisht në pranverë dhe në vjeshtë. Për shkak të malit të Dajtit, Tirana është një nga qytetet e Shqipërisë ku bien më shumë reshje. Në të katër stinët e vitit, natyra prezanton një spektakël të vërtetë në parkun e Dajtit.
Tarraca detare e Dajtit. Ndodhet 1000 m mbi nivelin e detit, në shpatin perëndimor të malit të Dajtit, Brenda Parkut Kombëtar. Është e gjatë rreth 2 km dhe e gjerë 600-800 m. formon fushë me livadhe e pyje ahu përreth. Vizitohet me teleferik Tiranë-Dajt 14 minuta, ose sipas rrugës Tiranë-Dajt. E veçanta e bimësisë së parkut nuk është vetëm shumëllojshmëria por edhe shtresëzimi. Flora fillon me shkurret, vazhdon duke u ngjitur në lartësi me dushkun dhe përfundon
me ahet 200-vjeçarë dhe halorët. Pisha e bredha të lartë zbukurojnë majën e malit si gjatë dimrit të mbushur me dëborë, ashtu edhe gjatë stinëve të tjera të mbushura me gjelbërim. Ndonëse tashmë me një numër të kufizuar, fauna e parkut është e larmishme. Brenda pyllit strehohet ariu i murrmë, ujku, dhelpra, derri i egër, lepuri i egër, macja e egër etj.

Aktivitete dhe sporte të ndryshme

Maja e malit të Dajtit është 1600 m mbi nivelin e detit. Në shpatet e tij të pyllëzuara rriten mjaft kafshë të egra. Kështu ju mund të ushtroni sportin e gjuetisë gjatë sezonit, mund të bëni ski në dimër, mund të ngjiteni malit, të bëni ekskursione, kamping, etj. Të gjitha këto aktivitete do ta pasurojnë më tepër qëndrimin tuaj në Dajt.

Teleferiku

Ka disa vite që në Malin e Dajtit ju ofrohet një shërbim mjaft komod dhe i këndshëm, ai i transportit me teleferik, nga rrëza e Dajtit e deri në majë të tij. Vizitorët mund ta përshkojnë rrugën ajrore të Dajtit vetëm për 15 min, duke paguar një biletë prej 700 lekë të reja për të rriturit dhe 400 lekë për fëmijët. Në këtë rast ata paguajnë edhe shijimin e një panorame të mrekullueshme që u ofron zona.

Kuzhina dhe akomodimi

Dajti ofron një strukturë të mirëfilltë turistike, si për turizmin ditor ashtu edhe për llojet e tjera të tij. Përgjatë rrugës së Dajtit dhe në zonën e tij turistike janë ndërtuar një sërë hotelesh e restorantesh, që mirëpresin pushuesit dhe vizitorët. Kushtet e hoteleve dhe komplekseve turistike janë moderne dhe shumë të rehatshme, të pajisura me shërbime të shumta. Komplekset Panorama dhe King park që ndodhen në majë të Dajtit, dhe restorant “Gurra e Perrisë”, mundësojnë transportin falas të vizitorëve që vijnë me teleferik. Që nga stacioni i teleferikut e deri tek kompleksi përkatës, transporti është falas. Kuzhina që ju ofron Kompleksi King Park është tradicionale shqiptare, me produktet e mishit të gatuara në shumë mënyra dhe perime të freskëta të stinës,verëra shqiptare dhe franceze si dhe peshk të freskët nga basenet e kompleksit. Edhe qengji i pjekur në hell ju serviret në këtë zonë. Këtë do t’jua tregojë shumë mirë çdo restorant, i cili në një kënd të ambientit të tij të jashtëm, ka vendosur furrën për të pjekur në hell qengjin, krenarinë e kuzhinës së kësaj zone. Por restorantet ju ofrojnë gjithashtu edhe kuzhinë ndërkombëtare apo piceri, siç do të gjeni në kompleksin Panorama.

Çfarë mund të vizitoni tjetër

Shpella e Zezë

Ndodhet në grykën e Skoranës, pranë fshatit Pëllumbas. Njihet dhe me emrin “Shpella e Pëllumbasit”. Është shpellë karstike, e cilësuar Sensanioni i Speleologjisë Shqiptare, sepse eksplorimi i fundit nga speleologët e Firences dhe P. Qiriazi, gjetën skelete të arinjve të shpellave, që kanë jetuar nga 10.000-400.000 vjet më parë dhe mbetje të kulturës humane, që u takojnë periudhës nga paleoliti i lartë në mesjetën e hershme. Është e gjatë 360 m, 10-15 m e gjerë, 15-45 m e lartë, e mbushur me shumë stalaktit, stalagmite, kolona, që dallohen për një bukuri të rrallë. Është përgatitur projekti që synon ta kthejë në muze gjeologo-gjeografik, paleontologjik dhe arkeologjik, i cili, si dhe homologët europianë, do të ngjallë interesin shkencor dhe sidomos turistik. Vizitohet sipas rrugës Tiranë-Bërzhitë-Pëllumbas-rruga këmbësore te shpella.

Shkalla e Tujanit

Gjendet në luginën e lumit të Tiranës. Është formuar prej tij në gëlqerorë me antecedencë. Përfaqëson një kanion rreth 1,2 km të gjatë, 20-50 m të gjerë dhe 200-300 m të thellë , me guva e shpella karstike të paeksploruara. Përgjatë saj kalonte rruga antike Tiranë-Dibër e Madhe dhe më tej. Ka vlera gjeomorfologjike didaktike, kulturore, turistike. Vizitohet sipas rrugës Tiranë-Brar-Zall Dajt.

Karsti i Malit me Gropa. Gjendet në lindje të vargut malor Krujë-Dajt, në kreshtën tepër të karstëzuar të Malit me Gropa. Është peizazhi më klasik i karstit në Shqipëri. Emri i malit lidhet me gropat, hinkat, puset e dendura karstike, që ngjasojnë me hojet e bletëve. Ka shumë kullota e livadhe cilësore. Ka vlera shkencore gjeomorfologjike didaktike, turistike. Vizitohet sipas rrugës Tiranë-Dajt-Bizë.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com