Loading...

”Bëj vendime dhe jo pica”, gjyqtari i Vlorës tone të ashpërta gjatë debatit të pazakontë në mbledhjen e KLD-së

Zbatimi i ligjit të Vetingut ka prodhuar nervozizëm në radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve. I thirrur për të dhënë sqarime në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, për disa shkelje të pretenduara nga Ministria e Drejtësisë, gjyqtari Ken Dhima ka shpërthyer, duke deklaruar se Sorosi është një rrjetë e zezë që ka pushtuar Evropën dhe Shqipërinë.

Nga ana tjetër ai ka sulmuar procesin e Vettingut dhe Reformën në Drejtësi duke e cilësuar edhe si ‘’Vettingu Sorosian’’. Gjyqtari Dhima është përgjigjur më tej duke thënë se bëj vendime dhe jo pica.

Në fund të mbledhjes, anëtari i KLD, Gerd Hoxha, ka pohuar se ishte i tronditur nga mënyra se si ishte sjellë gjyqtari Ken Dhima.

Ndërsa Presidenti Ilir Meta, njëherësh edhe kryetari i KLD, Ilir Meta, ka pohuar se temperamenti i Ken Dhimës ishte tërësisht i papërmbajtur dhe i pajustifikuar.

Debati i pazakontë në mbledhjen e KLD

-Ken Dhima: Atëherë, i kam dhënë prioritet – i nderuar President dhe të nderuar anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë – dorëzimit të dosjeve me palë të paditur Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Vlorë dhe të degëve të tjera që kanë lodhur qytetarët për muaj e vite me radhë për një pension që nuk e gëzojnë për shkak të ankimeve në gjykatat më të larta.

I kam dhënë prioritet fëmijëve që mbeten pa shkollë për një germë gabim në gjeneralitetet e tyre dhe të prindërve të tyre. I kam dhënë prioritet atyre qytetarëve që për vite me radhë nuk marrin asnjë informacion apo marrin informacion të gabuar nga Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

I kam dhënë prioritet atyre qytetarëve që pas 12 vjetësh, agjencitë e legalizimeve ose nuk i kanë kthyer fare përgjigje qytetarit ose i përjashtojnë nga legalizimi pa asnjë shkak ligjor. I kam dhënë prioritet qytetarëve të shpronësuar që u është vlerësuar shtëpia me gjithë truall për të bërë rrugë biçikletash në vlerën e një koteci modern pulash.

I kam dhënë prioritet vendimeve kundër organeve shtetërore që dërgojnë ekskavatorët për prishje objekti pa paraqitur qytetarit një shkak të ligjshëm. I kam dhënë prioritet qytetarëve që janë pa një këmbë apo pa një dorë dhe që janë përjashtuar nga pensioni i invaliditetit.

Këto provohen me vendimet që kam unë me vonesë, ku një pjesë e tyre janë pushime gjykimi, kthim padie për të meta, pa përjashtuar edhe ato që kanë ankim. Pra normalisht unë kam bërë një përzgjedhje, mos të them që s‟i kam përzgjedhur, por ka njerëz që vijnë tek kryesekretaria dhe nuk ikin pa marrë vendimin.

Unë jam i detyruar të lë edhe gjyqin, ta shtyjë, vetëm t’i bëjë vendimin. Se edhe qytetarët, dihen, në organet shtetërore nuk gjejnë të drejtën sepse për çdo gjë i thonë, -“shkoni në gjykatë!”. Më vjen shumë keq që thotë ministrja e Drejtësisë bashkë me Kryeinspektoren e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që këto janë veprime që diskreditojnë figurën e gjyqtarit.

Unë nuk mund ta pranoj kurrsesi dhe përbuz me neveri këtë epitet. Shkoj në punë në orën 07:00 dhe dal në orën 08:00 të darkës. Dhe nuk mund të më thuhet mua „i diskredituar”. Të diskredituar janë ata vartës të ministres së Drejtësisë që kanë 20 vjet që nuk u kanë kthyer përgjigje qytetarëve.

-Ilir Meta: Ju lutem, nuk kemi ardhur këtu për të bërë akuza reciproke. Ju do përgjigjeni për pretendimet që ka ministria dhe Inspektorati ndaj jush.

-Ken Dhima: Ka edhe një akuzë ministria, që s‘e përmendi. Me një korrespondencë time me Kryeinspektoren e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kam thënë që, një prej shkaqeve të vonesës është edhe Vetingu, bërja e dokumenteve, etj., etj.

E kam quajtur “Vetingun Sorosian”. Dhe ministrja më thotë mua që ti s‘ke të drejtë të mendosh. Por edhe Marksi thoshte, -“mendimet s‟kanë doganë”. Sorosi është një rrjetë e zezë që ka pushtuar Evropën dhe Shqipërinë dhe reforma në drejtësi…

-Ilir Meta: Ç’lidhje ka tani? Bëjmë politikë këtu?

-Ken Dhima: Po sepse… Jo! Është tek relacioni. S’ka për politikë. Unë kam mendimin tim si gjyqtar. Edhe për Sorosin, çfarë lidhje ka kjo këtu? Këto janë domethënë pikat që unë e kam edhe në observacion, e kam edhe në… 220 ditë janë ditët e punës dhe nuk e kuptoj se si mundet një gjyqtar të arsyetojë 8 vendime themeli?! Unë nuk bëj pica.

-Ilir Meta: Atëherë, pretendimi juaj kryesor është që keni pasur një mbingarkesë shumë të madhe për të bërë çdo gjë. Dakord!

-Ken Dhima: Edhe diçka për të shtuar. Nga presioni që më ka bërë Kryeinspektorja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë që mi dërgonte çdo muaj inspektorët, çfarë kam bërë tani? Tani, në qoftë se unë i mbaroja për 2 muaj gjyqet, unë tani i përfundoj 4-9 muaj.

Për shkurt, mars, prill nuk kam asnjë dosje me vonesë. Unë kam këtu, kam dorëzuar 600 dosje këtë vit. Me short më kanë rënë 400 për 4 muaj. Ja ku janë dosjet e dorëzuara, por ama qytetarit i kam zvarritur gjykimin, që unë mos të kem dosje me vonesë e të mos dalë këtu e të më thotë ministri “i diskredituar”. Urdhëroni! Kaq kisha!

-Gjin Gjoni: Ta lejmë pjesën e politikës, të kalojmë tek pjesa profesionale. Sa çështje ke përfunduar në vitin 2015-2016 Ken?

-Ken Dhima: Atëherë, në vitin 2015, 852 vendime themeli. Gjithsej janë 954.

–Gjin Gjoni: 954. Po në 2016?

-Ken Dhima: Por pa llogaritur ato qindra vendime pranim-ankimi dhe rekurse. Po mirë, ato unë i bëj, se kush mi bën. Nuk kam pasur as këshilltare ligjore. Se këshilltarja ime ligjore më shumë s‘vinte sesa vinte. Ky ishte problemi i kryetarit të gjykatës. Por nuk ka problem. Sepse ai më padit mua shumë kollaj. Unë s‟jam mësuar të padis, por ja që duhen thënë tani. Për 2016, 1013. Është bërë gjyqtari tabelë qitjeje. Ne nuk mundet vetëm të goditemi.

-Gjin Gjoni: Duhet edhe të mbrohesh. Po, mbrohu pra.

-Ken Dhima: Se ne jemi njerëz. Kemi familje. Kemi njerëz. Kemi miq. Kemi… Kemi jetë private. Sipas ministres, unë duhet të ngordh në punë.

-Gjin Gjoni: Okej! Po çështje në dorë, sa ke pas? Përveç vendimeve.

-Ken Dhima: Këtë radhë kam rënë. Duhet të kem nja 150. Për arsyetim nuk kam. Se i përfundova. Mund të jenë nja 30 copë.

-Gerd HoxhaOkej! Është bërë ndonjë studim bazuar në praktikat e SEPEZH-it e në vendet e rajonit, cila është ngarkesa që mund të përballojë një gjyqtar; sa vendime mund të arsyetojë ai në ditë dhe, a është bërë ndonjë krahasim me këto vendet rreth e rrotull? Ka ndonjë studim krahasimor të tillë? Sepse e kemi hasur gjithmonë këtë problem.

-Etilda Gjonaj: E mora kërkesën z. Hoxha. Herës tjetër do t‟ju jap një përgjigje të saktë sa çështje ka një gjyqtar krahasuar me të gjitha vendet e rajonit dhe vendet e Bashkimit Evropian. Dhe kjo është arsyeja që u ndërmor reforma në drejtësi, për të ndryshuar sistemin, për të ulur ngarkesën e gjyqtarëve, për të centralizuar gjykatat, për t‟i bërë më të mëdha, me numër gjyqtarësh më të lartë, që të ulet edhe ngarkesa e gjyqtarëve dhe të japin drejtësinë sa më efiçente. Atë do ta vendosi KLGJ-ja e re kur të ngrihet, pasi të bëjë studimin, të vendosi hartën e re gjyqësore.

-Gerd Hoxha: Atëherë, z. President, nisur nga… për mua kjo është thelbësore, kjo gjë që tha ministrja, që edhe ne, jo vetëm unë, por të gjithë anëtarët e KLD-së, por edhe opinioni publik, të ketë një perceptim të saktë sa duhet të shqyrtojë një gjyqtar dhe se cila është edhe mundësia fizike dhe objektive, se sa mund të shkruajë një gjyqtar në ditë. Se ato janë vendime. Them ta shtyjmë vendimmarrjen, pasi të na vijë edhe përgjigja e ministres, meqë e mori shënim. Bëri shumë mirë që e mori shënim që ta ketë parasysh. Radhës tjetër të ngarkojë atë stafin e saj të na japë përgjigje dhe vendosim radhës tjetër.

-Gjin Gjoni: Është e vërtetë z. President që ka një vonesë dhe po t’i marrësh sot gjyqtarët e gjykatave administrative, jo vetëm zoti Ken Dhima, por të gjithë gjyqtarët e gjykatave administrative janë tej afateve që parashikon ligji, për shkak të ngarkesës.

Të themi të drejtën, të bësh 1033 çështje brenda 1 viti, është një ngarkesë e cila është e papërballueshme dhe po t‟i referohesh statistikave të SEPEZH-it të cilat japin ngarkesën në vendet e Bashkimit Evropian dhe njëkohësisht në vendet e tjera, janë 220 dosje ngarkesa e një gjyqtari, aq më tepër që, edhe me vendim të KLD-së, sistemi i vlerësimit është i ndërtuar mbi bazën e 220 dosjeve të cilat duhet të ketë në gjykim në vit. 200 e ca dosje.

Kështu që, në rastin konkret, unë them që po t‟i marrësh edhe sot, jo në mënyrë selektive, por po t‟i marrësh të gjithë gjyqtarët e gjykatave të shkallës së parë administrative, por ke edhe gjyqtarë të gjykatave të apeleve që dorëzojnë jashtë 3-4 muajve. Që s‟kanë ngarkesën e tyre. Raportimet çohen periodikisht në Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe kanë çështje të cilat mund të kenë çerekun e ngarkesës së tyre.

-Etilda Gjonaj: Hajde t‟i themi, se s‟besoj se është vetëm ky gjyqtar me ngarkesën maksimale. Besoj që janë një numër i caktuar gjyqtarësh. Hajde t‟i themi Inspektoratit të mos kryejë më inspektime për ngarkesën dhe po ia bëjmë nul të gjithë veprimtarinë inspektuese që kryen. Tashti, kjo është pra.

-Marsida Xhaferllari: Përgjatë periudhës së 1 viti, këto hetime disiplinore i kemi bërë bazuar në raportimin e kryetarit të gjykatës, që është një mekanizëm që bëhet muaj për muaj. Në momentin që kemi sugjeruar procedimin disiplinor të rastit në fjalë, sigurisht që edhe ngarkesën e kemi mbajtur në konsideratë, por na kanë tërhequr vëmendjen disa karakteristika.

Së pari, që në këtë gjykatë është i vetmi gjyqtar që raportohet me këto lloj vonesash, megjithëse në gjykatë janë tre gjyqtarë. Kanë ngarkesë pothuajse të barabartë. Nuk po them domethënë që ngarkesa mbi rastin në fjalë, ngarkesa në Gjykatën Administrative të Vlorës dhe tek të gjitha gjykatat është mbi normalen.

Pa diskutim. Megjithatë ka një diferencë në performancën e këtij gjyqtari, në raport me dy gjyqtarët e tjerë. Sikundër e pranoi edhe ai vetë që, besoj e ka pas fjalën “presion” pozitiv, që tha që tani nuk ka më vonesa, që më është bërë presion, e para.

E dyta, ka qenë sasia e vonesës. Na kanë tërhequr vëmendjen që kanë qenë vonesa disamujore, 3 muaj deri në 5 muaj. Një pjesë e këtyre çështjeve kanë qenë edhe çështje të lehta (urdhra ekzekutimi apo marrëdhënie pune apo korrigjim i akteve të gjendjes civile). Megjithatë, e përsërisim edhe një herë që, ngarkesa sasiore që gjyqtari pretendon është e vërtetë. Është reale.

Gerd Hoxha: Edhe diçka tjetër. Edhe një herë, të më kuptoni. Unë nuk po përligj vonesat. Unë jam vet gjyqtar. Edhe unë kam çështje me vonesë. Po them, të vijë të më inspektojë edhe nesër Inspektorati. Edhe unë kam.  Le të vijë. Se s‟kam frikë unë. Vetëm Zotit i jap llogari lart. Problemi është që, doja të dija edhe këtë…

-Ilir Meta:Temperamenti i tij ishte tërësisht i papërmbajtur dhe i pajustifikuar. Ndoshta gjykimi mund të jetë i njëanshëm. Mund të jetë…

–Gerd Hoxha:Nuk i heq asnjë presje asaj. Edhe unë jam vërtet i tronditur nga mënyra se si u soll ai njeri. Unë e njoh prej vitesh atë njeri për arsye të tjera, që nuk ma afektojnë vendimmarrjen sot. Nuk pajtohem aspak me mënyrën se si flet ai. Por nuk e kemi marrë këtu për sjelljen. Në qoftë se është për sjelljen, bëjmë një procedim tjetër.

Dhe doja të dija edhe diçka. Përveç edhe vonesës, çfarë pasoja janë shkaktuar? Ta kem edhe këtë. Janë shkaktuar pasoja nga vonesa? Sepse ligji thotë, shkaktohen vonesa që sjellin pasoja të rënda në të drejtat e shtetasve apo të shtetasit. Janë identifikuar edhe këto pasoja? E drejta për një proces të rregullt është… Ne në Gjykatën e Lartë kemi 23 mijë dosje me vonesë.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com