Loading...

Paga e lartë, këto janë sektorët ku paguhen më shumë punonjësit

Bankat dhe shoqëritë e sigurimeve janë ideale për të gjithë ata që kërkojnë të nisin një punë të re dhe që paguhet mirë, pasi nga të dhënat e publikuara nga INSTAT këto dy institucione kishin edhe pagën më të lartë me 104 mijë lekë në muaj. Problemi i vetëm që ka sektori bankar prej disa vitesh është fakti se nuk po zgjerohet dhe kjo sjell punësimin e shumë pak punonjësve.
Monitor sjell pagat mesatare në ekonomi dhe profesionet që paguhen më shumë

Paga mesatare në ekonomi u rrit me 3% në 2017-n, kryeson administrata shtetërore

Paga mesatare për të gjitha aktivitetet ekonomike në vend ishte 48,966 lekë, sipas të dhënave të INSTAT, me një rritje prej 3% me bazë vjetore në krahasim me 2016-n.

Pas aktivitetit financiar e të sigurimeve, sektori që paguan më shumë punonjësit është ai i “Informacioni dhe komunikacionit”, me rreth 74 mijë lekë në muaj. Paga në këtë sektor është ulur me 2.5% në 2017-n (i vetmi aktivitet që raporton rënie), teksa largimi i operatorit të katërt celular, Plus Communication, në gjysmën e dytë të vitit dhe rënia e konkurrencës në tregun e telefonisë celulare rezulton të jetë shoqëruar dhe me ulje të pagave.

Bankat dhe telekomunikacionet janë në fakt dhe sektorët më të formalizuar në ekonomi, duke deklaruar pagat reale. INSTAT i raporton të dhënat bazuar në informacionin që merr nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve si dhe përpunime të vetat.

Sektori i tretë me paga më të larta është ai shtetëror, me pagën mesatare në administratën publike që ka arritur në rreth 60 mijë lekë. Administrata publike ka qenë më me fat në 2017-n, pasi ka përfituar një rritje mesatare prej 6.7%.

Pas administratës, në vend të katërt renditen “Aktivitete të pasurive të paluajtshme; Aktivitete shkencore, profesionale dhe teknike; Aktivitete të shërbimeve administrative dhe mbështetëse” (55,939 lekë); “Arte, argëtim dhe çlodhje, aktivitete të prodhimit të mallrave të familjeve për përdorim të vet dhe shërbime të tjera” (49,426 lekë); Ndërtimi (43,103 lekë); “Industria nxjerrëse; përpunuese; energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar; furnizimi me ujë; aktivitetet e trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, rehabilitimit” (40,390 lekë).

Më pak të paguarat janë “Bujqësi, Silvikulturë dhe Peshkim” (36,264 lekë) dhe “Tregtia me shumicë dhe me pakicë; riparimi i automjeteve dhe motorçikletave; transporti dhe magazinimi; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor” (34,627 lekë)- shiko grafikun e parë.

Profesionet, pa dyshim që drejtuesit paguhen më shumë

Një tjetër tregues që raporton INSTAT, është ai i pagave sipas profesioneve. Në vend të parë janë “Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë”, me një pagë mesatare mujore prej rreth 95 mijë lekësh, me një rëni efare të lehtë në raport me vitin 2016.

Në vend të dytë janë “Specialistë me arsim të lartë (profesionistë)”, me një pagë mujore prej rreth 66.3 mijë lekësh, me një rritje prej 2.6% në raport me një vit më parë.

Të tretët janë punonjësit e Forcave të Armatosura, që paguhen mesatarisht 58 mijë lekë në muaj dhe kanë pasur një rritje më të lartë se të tjerët, me 7.5%.

Më pas renditen teknikët, nëpunësit dhe në fund punëtorët e pakualifikuar dhe ata të bujqësisë. Për pagat e ulëta është shënuar dhe rritja më e lartë në 2017-n (shiko grafikun e dytë).

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com