Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimin për dy gjyqtarët që kanë pasur në dorë çështjen e vrasjes së Marvi Mihalit. Akuzat ndaj trupës gjykuese janë ngritur për shkak të lirimit të tre prej katër të dyshuarve për kryerjen e krimit të rëndë. Në hetim ka përfunduar edhe prokurori i çështjes Artan Lulo. Dy gjyqtarët dhe prokurori i çështjes dyshohen për korrupsion.
Hetimet ndaj dy gjyqtarëve dhe prokurorit të çështjes kanë nisur pas kallëzimit të bërë në Prokurori nga babai i viktimës, Pavllo Mihali. Ky i fundit ka thënë pranë organit të akuzës se njerëzit e drejtësisë kanë marrë lekë dhe prandaj kanë liruar tre nga katër vrasësit e dyshuar të djalit të tij.
Fillimisht për vrasjen e Marvi Milahit pati vetëm një të akuzuar për vrasje, kurse përpara vetëm dy ditësh ndryshoi akuza dhe se ndaj të katër të pandehurve rëndon tashmë akuza e “vrasjes”. Autorë të dyshuar për vrasjen e Marvi Mihalit janë Dejvi dhe Eugen Birtaj, e Kridens dhe Marsel Alla. Tre prej të dyshuarve fillimisht akuzoheshin për “moskallëzim krimi”, por se iu është ngarkuar më tutje të gjithë të pandehurve akuza e “vrasjes”.