Loading...

STATISTIKA – Gjithçka që duhet të dini në ditën botërore pa duhan

Çdo minutë, rreth 11 milionë duhanpirës në botë konsumojnë një cigare dhe 10 persona vdesin për shkak të duhanit.

Duhani regjistron një xhiro vjetore me rreth 700 miliardë dollarë, me numrin më të lartë të vdekjeve në shekullin XX krahasuar me dy luftrat botërore të mbledhura bashkë.

-Sa është numri i duhanpirësve?-

Nga gjithë popullsia e globit prej 7,5 miliardë njerëz, konsumuesit e duhanit vlerësohen në rreth një miliard sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Çdo vit, ata konsumojnë rreth 5 700 miliardë cigare dhe hedhin rreth një milionë ton bishta cigare, sipas “The Tobacco Atlas”, iniciativë kundër duhanit në bashkëpunim me “American Cancer Society”.

Filtrat e acetateve të celulozës, lëndë që nuk mund të shkatërrohet nga mikroorganizmat, janë kthyer në mbetjet më të përhapura në plazhet e globit, sipas revistës ndërkombëtare “Journal of Environmental Research and Public Health”.

Sipërfaqe kushtuar kultivimit të duhanit në botë,  4,3 milionë hektarë është pak a shumë e barabartë me sipërfaqen e Zvicrës. Kina është deri tani prodhuesi i parë në botë, duke u fokusuar vetëm tek kjo kulturë rreth 40% të prodhimit botëror të gjedheve të duhanit.

-Ku konsumohet më tepër duhan-

Në mënyrë të pritshme, Kina ka numrin më të madh të duhanpirësve. Shteti me 1,3 miliardë banorë numëron 315 milionë duhanpirës, sipas një raporti të OBSH së vitit 2017.

Më shumë se një e treta e cigareve të konsumuara në botë janë në Kinë. Indonezia është vendi me përqindjen më të lartë të duhanpirësve. Rreth 76% e meshkujve mbi 15 vjeç konsumojnë duhan.

Rreth 80% të duhanpirësve në botë jetojnë në vende me të ardhura të pakta apo me të ardhura mesatare dhe 226 milionë në mesin e tyre konsiderohen të varfër.

-Sa është numri i të vdekurve?-

Duhani është shkaku kryesor, që mund të shmanget i vdekjes. Një person vdes çdo gjashtë sekonda në planet për shkak të duhanit, sipas OBSH. Duhapirja aktive apo pasive shkakton vdekjen e më shumë se 7 milionë individëve çdo vit. Sëmundja e kancerit, kryesisht në mushkëri, infraktet, AVC, BPCO janë sëmundjet kryesore që lidhen me duhanin.

Në shekullin XX, duhani shkaktoi 100 milionë të vdekur, ose më shumë se 60 deri në 80 milionë të vdekur në Luftën e Dytë Botërore të mbedhur me 18 milionë të vdekur të Luftës së Parë Botërore. Nëse tendenca e regjistruar së fundmi do të vijojë, duhani mund të shkaktojë rreth një miliardë të vdekur në shekullin XXI.

-Sa janë shpenzimet në fushën e shëndetësisë? –

Duhanpirja kushton shtrenjtë. Ajo thith rreth 6%  të shpenzimeve botërore për shëndetin si dhe 2% të produktit të brendshëm bruto (PBB) global, sipas studimit të parë të realizuar për këtë temë, publikuar në muajin janar të vitit 2017 në revistën shkencore “Tobacco Control”.

Kjo analizë e kryer në bashkëpunim me OBSH-në tregon se në vitin 2012 kosto e përgjithshme e duhanit pët shoqërinë në shkallë botërore u rrit në 1.436 miliardë dollarë, ku 40% e saj u mbulua nga vendet në zhvillim.

-Një treg global në rënie?-

Në vitin 2015, planeti numëronte 933 milionë duhanpirës të përditshëm (768 milionë burra dhe 165 milionë gra), sipas një studimi të publikuar në revistën mjekësore “The Lancet” e cila konstaton një rënie të përqindjes së duhanpirësve në popullsinë botërore që nga viti 1990.

Politikat kundër duhanit dhe shfaqja e cigares elektronike shkaktuan rënie të numrit të duhanpirësve në shumë shtete, kryesisht Britani e Madhe, Australi, Brazil dhe në Francë ku duhanpirësit e përditshëm u pakësuan me një milion mes viteve 2016 dhe 2017.

Kina mbetet deri tani tregu më i madh në botë, por shitjet janë gjithashtu në rënie me pothuajse 10% që nga niveli pik i regjistruar në vitin 2012, sipas ”Euromonitor International”.

Ndërkohë konsumi i duhanit vijon të rritet në shumë shtete me të ardhura mesatare apo të ulëta, veçanërisht në Afrikën Subsahariane, thekson “The Tobacco Atlas”./ (Nga Olivier Thibault) /v.b/ a.jor.ATSH

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com