[sgmb id=”1″]
Shtatëqind lekë të rinj, të mbetur në xhepin e një prej rrobave të tij, i kanë shtuar peripecitë një të dënuari me 4 muaj burg për “vjedhje të energjisë elektrike”.
Lekët, një kartëmonedhë 500 lekë dhe tjetër 200 lekë, janë konstatuar nga kontrolli policor teksa i dënuari Arben C. po transferohej nga burgu i Fierit në atë 313 në Tiranë.
Ai është proceduar penalisht dhe është dërguar si i pandehur për veprën penale të “futjes ose mbajtjes së sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”.
Më 5 maj, gjykata ka vendosur pushimin e çështjes, duke shfajësuar të pandehurin, me argumentin se në rastin në fjalë nuk ka vepër penale. Referuar vendimit të gjykatës, 7 mijë lekët e vjetër të dënuarit i janë gjetur më 8 shkurt 2017.
Ai u ka thënë policëve që nuk kishte gjë me vete. Ai është habitur edhe vetë kur policët i kanë gjetur paratë në një xhep të xhupit, por u ka thënë atyre “mund ta grisësh, ose bëj çfarë të duash”.
“Më kanë transferuar në burgun e Fierit dhe në datën 08.02. 2017, jam shoqëruar për në burgun 313, pasi do gjykohej kërkesa ime për shuarjen e dënimit për shkak të ligjit për amnistinë. Nga kontrolli te burgu 313 është konstatuar shuma prej 700 lekësh, e cila nuk dihej fare nga ana ime dhe jam çuditur kur janë gjetur lekët, pasi mua më ishin bërë disa herë kontrolle. Unë nuk kam qenë i vëmendshëm pasi isha i shqetësuar në lidhje me çështjen penale për të cilën isha ndaluar. Nuk kam qenë në dijeni të pasjes së këtyre lekëve në xhep”, ka dëshmuar i pandehuri Arben C.