Loading...

Dalin detaje nga mbledhja në “fshehtësi” të plotë e PS-së, çfarë iu kërkoi Rama deputetëve

Partia Socialiste do t’i përgjigjet dhëmb për dhëmb çdo sulmi dhe akuze të opozitës kundrejt mazhorancës qeverisëse. Ditën e djeshme është mbledhur grupi parlamentar socialist nën drejtimin e kryetarit të grupit, Taulant Balla, i cili u ka dhënë një sërë porosish deputetëve të PS, në emër të kryeministrit Edi Rama.

Gazeta “Sot” ka mësuar disa detaje nga mbledhja, edhe pse ajo u zhvillua në “fshehtësi” të plotë. Sipas informacioneve, kreu i grupit ka urdhëruar të gjithë ligjvënësit socialistë që të mos qëndrojnë indiferent ndaj çdo akuze të opozitës kundrejt qeverisë dhe deputetëve të PS, duke iu përgjigjur në kohë.

Po ashtu, mësohet se Balla ka porositur deputetët që të jenë vigjilentë ndaj çdo sulmi të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, ku iu ka kërkuar që të denoncojnë çdo eksponentë të këtyre partive nëse kanë shkelur ligjin.

Ndërkohë, gazeta mësoi se kreu i grupit parlamentar gjatë fjalës së tij, ka kërkuar nga deputetët që të mos mungojnë në komisionet parlamentare dhe në seancën e së enjtes në Kuvend. Madje, mësohet se ai ka kërkuar që mungesën e çdo kujt, duhet ta justifikojnë, pasi në të kundërt do merren masa disiplinore. Një tjetër porosi që Balla ka adresuar ndaj deputetëve në emër të kryeministrit Edi Rama ka të bëjë me integrimin.

Mësohet se ai ka urdhëruar të gjithë ligjvënësit që deri në dhënien e vendimit nga ana e vendeve të Bashkimit Europian, kushdo duhet të lobojë fuqishëm për Shqipërinë, në çdo takim që mund të kenë me deputetët apo zyrtarë të BE-së. Sa i takon protestës së opozitës, mësohet se Balla e ka ironizuar atë, duke thënë se populli braktisi Bashën, sepse e do gjithmonë në minorancë.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com