Loading...

Brenda dy orësh ai foli 25 minuta para gjyqtarëve, si i bindi Tahiri ta lironin

Gjykata e Apelit dha dje vetem dispozitivin e vendimit te saj pa argumentimin pse kishte vendosur te lironte Saimir Tahirin duke i shfuqizuar arrestin shtepiak dhene nga Gjykata e Shkalles se Pare.

Por sot mediat shkruajne pse e mori treshja gjykuese kete vendim. Seanca gjyqësore zgjati dy orë e gjysmë, teksa u zhvillua me dyer të mbyllura.

Përpara gjyqtarëve Fehmi Petku, Saida Dollani dhe Sokol Binaj, Tahiri foli rreth 25 minuta, duke shprehur pikëpamjet e tij për vendimin e gjyqtares Liljana Baku. Ai kundërshtoi një për një të gjitha provat e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe mori në analogji argumentimin e gjyqtares Baku kur vendosi masën e sigurisë, “arrest shtëpie”.

Tahiri mësohet se ka thënë në seancë se Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk ka prova të reja, ose prova të mjaftueshme që e implikojnë atë drejtpërdrejt në trafikun e drogës apo favorizimin e grupit të Moisi Habilajt. Kështu, Tahiri fillimisht ka kundërshtuar argumentimin se mund të largohet jashtë vendit.

Sipas tij, gjyqtarja Liljana Baku ka përdorur të njëjtin argument si në heqjen e pasaportës, ashtu edhe në atë të arrestit shtëpiak. Në rastin e parë, heqjen e pasaportës, gjyqtarja, sipas Tahirit, ka argumentuar se ekzistonte rreziku i largimit jashtë vendit pasi ishte edhe deputet, ndërsa në rastin e dytë, kur la mandatin, argumenton se ka rrezik më të lartë largimi, pikërisht ngaqë nuk është më deputet.

Tahiri kundërshtoi edhe argumentimin se ka rrezik që ai të përsërisë veprat penale për të cilat hetohet nëse lihet i lirë. Sipas tij, veprat për të cilat po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, supozohet që të jenë kryer për shkak të detyrës, ndërsa tani ai nuk është më ministër i Brendshëm dhe nuk ka më influencë të kryejë të njëjtat vepra penale, ndaj sipas tij ky argument nuk qëndron.

Ish-ministri i Brendshëm ka kundërshtuar edhe pretendimin e Prokurorisë se ai mund të prishë provat duke qenë i lirë. Ai është mbrojtur se ka mbi 8 muaj që është nën hetim dhe se nuk ka çfarë provash të prishë. Ai iu përgjigj edhe pretendimit të Prokurorisë se Krimeve të Rënda se ka takuar pas marrjes në pyetje shtetasin Orgest Liperi, në lidhje me skafin që kishte blerë për llogari të tij.

Sipas Tahirit, takimi me Liperin është bërë pasi është marrë në pyetje nga Prokuroria dhe se nuk mund të ndërhynte në dëshminë e tij. Ai tha se Liperit i ka kërkuar vetëm ndjesë për shqetësimet e tij. Më pas, ishministri kundërshtoi disa nga provat e Prokurorisë, duke i cilësuar edhe si keqdashëse.

Përmendim këtu letërporosinë dërguar në Itali për një kostum “Hugo Boss” të blerë në Milano nga Moisi Habilaj me porosi të Tahirit. Sipas mbrojtjes, përgjegjësit e dyqanit kanë kthyer përgjigje se nuk kanë shitur asnjë kostum për datat që pretendon Prokuroria e Krimeve të Rënda. Pasi dëgjoi edhe pretendimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Gjykata e Apelit vendosi që të pranojë kërkesën e palës mbrojtëse, duke shfuqizuar vendimin e gjyqtares Baku, që e la në “arrest shtëpie” ish-ministrin Tahiri.

Sipas Gjykatës, Tahiri nuk rrezikon të largohet, nuk mund të prishë provat e Prokurorisë dhe nuk mund të përsërisë të njëjtat vepra penale. Ndërkohë, Prokuroria me këtë vendim merr një goditje të rëndë, pasi kishte kërkuar në Apel vendosjen e masës së burgut pa afat për Tahirin. Tashmë pritet që Prokuroria e Krimeve të Rënda të sigurojë prova të reja nga Italia dhe Greqia për lëvizjet e Tahirit.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com