Loading...

Saimir Tahiri përfundimisht i lirë, shfuqizohet masa “arrest shtëpie”

Ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka fituar lirinë. Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka shfuqizuar masën e sigurisë “arrest me burg”.

Treshja e gjyqtarëve me kryesuese Saida Dollani dhe anëtarë Sokol Binaj e Fehmi Petku kanë shfuqizuar vendimin e Krimeve të Rënda, duke  bërë që Tahiri të triumfojë për të dytën herë pas rimarrjes së pasaportës së bllokuar.

Hetimet ndaj Tahirit do të vijonë në gjendje të lirë.

Seanca ndaj ish-ministrit Tahiri nisi rreth orës 13:10, ndërkohë kërkesa për rivlerësimin e masës ishte paraqitur një javë më parë nga avokati Haxhia.

Më herët, Avokati i Saimir Tahirit, Maks Haxhia e ka interpretuar në dy pjesë mesazhin e një dite më parë dhënë nga ambasadori amerikan Donald Lu. Sipas tij provat janë më të forta, dhe nëse gjykata gjykon në bazë të tyre, sot duhet të hiqet masa e arrestit për klientin e tij.

“Atë mesazh e ndava në dy pjesë, mesazhin e qarkullimit të opinioneve siç ndodh rëndom në Shqipëri kur ka gjithmonë çështje të tilla pikante, ose me probleme sociale politike, që të dyja palët kundërshtare, ose dhe metoda të tilla që nuk duan të jepet vendimi kundra, hapin fjalë që qarkullojnë presione ose para. Ajo që jam i interesuar si specialist i të drejtës dhe në detyrën e avokatit të zotit Tahiri është mesazhi i zotit Lu, që ishte shumë i rëndësishëm është që Gjykata duhet të gjykojë në prova dhe në ligj”, tha Maks Haxhia.

Hetimet ndaj ish ministrit të Brendshëm, nisën tetorin e shkuar, nën dyshimet se kishte lidhje me grupin e vëllezërve Habilaj, kushërinj të tij, të cilët ishin pjesë e një organizate italo-shqiptare e cila trafikonte marijuanë nga Shqipëria drejt Italisë. Hetimet u hapën menjëherë pasi autoritetet italiane goditën këtë organizatë në Catania, ndërsa në përgjimet e kryera, emri i tij përmendet disa herë në bisedat mes trafikantëve.

Prokuroria kërkoi me shpejtësi arrestimin e zotit Tahiri, por shumica e majtë, refuzoi kërkesën duke pretenduar se ajo nuk kishte paraqitur asnjë provë. Në fillim të muajit maj, zoti Tahiri dha dorëheqjen si deputet duke dorëzuar mandatin parlamentar, ndërsa deklaroi se dëshironte të hetohej e gjykohej si një qytetar i thjeshtë pa mburojë politike./Pamfleti

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com