Loading...

Pasuritë pritet të “trondisin” edhe Gjykatën e Lartë/ Rritje befasuese e të ardhurave, gjyqtari Edmond Islamaj në sitën e vettingut

Gjykata e Lartë shumë shpejt pritet të tronditet nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Procesi i vetingut nisi me Gjykatën Kushtetuese e cila ka mbetur me dy anëtarë, pasi pjesa tjetër dështuan në testin e pasurisë.

Nga java e ardhshme do të nisë procesi për anëtarët e Gjykatës së Lartë, ku ka shumë shanse që dhe ky institucion të ketë fatin e Gjykatës Kushtetuese.

Më 4 qershor në sitën e vettingut do të kalojë gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj. Trupa gjykesë që do të vendosë për të përbëhet nga Suela Zhegu, Pamela Qirko dhe Genta Tafa.
Nëse shihen pasuritë e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, shumica kanë mbi 70 milionë lekë të vjetra në vit të ardhura, përveç makinave dhe apartamenteve.

“Sot” ka bërë një përmbledhje të pasurisë për secilin emër nga viti 2012 deri në vitin 2016. Arsyeja është se anëtarët janë emëruar pikërisht në vitin 2012, ndërkohë që viti i fundit kur ata deklaruan pasuritë ka qenë viti 2016.

ipas bilanceve të nxjerra, vetëm në vitin 2016 të 8 anëtarët e Gjykatës së Lartë, përjashto kryetarin Zaganjori, kanë përfituar në total 100.431.643 lekë të reja, ose rreth 1 miliard lekë të vjetra. Ndërsa nëse bëhet një bilanc i të ardhurave kur ata nisën punë në Gjykatën e Lartë, pra viti 2012, rezulton se në total të ardhurat e tyre janë 40 milionë lekë të reja, ose 400 milionë lekë të vjetra. Pra kemi një rritje me gati 60 për qind të të ardhurave të tyre për brenda 5 viteve.

Nëse i marrim me radhë, gjyqtari Artan Broci në vitin 2012 ka deklaruar 10 milionë lekë të ardhura në total, kryesisht nga pagat. Por në vitin 2016 pasuria e tij e deklaruar kap shifrën e 42 milionë lekëve të reja, si dhe 2 apartamente me vlerë të papërcaktuar.

Ardian Dvorani, ka deklaruar në 2012 rreth 5 milionë lekë të ardhura dhe pasuri, ndërsa në 2016 kjo shifër ka arritur në gati 10 milionë lekë.
Pra kemi një rritje me 50 për qind të të ardhurave.

Rritje ka pasur dhe pasuria e Edmond Islamajt.Në vitin 2012 ai ka deklaruar një pasuri totale prej rreth 2.5 milionë lekë, të ardhura këto nga paga e tij dhe e bashkëshortes. Në 2016 në deklaratën dorëzuar pranë ILDKP thuhet se ka pasur 64 milionë lekë të ardhura nga pagat dhe kursimet e tij dhe të bashkëshortes.

I njëjti trend është dhe për gjyqtarin Artan Zeneli. Në vitin 2012 ka deklaruar 5.971.052 lekë të ardhura, ndërsa në 2016, 9.889.479 lekë pasuri. Sa i takon gjyqtarit Admir Thanza, pasuria e tij ka një trend më të ulët rritje.

Një rritje relativisht ka pasuria e gjyqtarit Tom Ndreca. Në vitin 2012 ai ka deklaruar 3.657.538 lekë pasuri, ndërsa në 2016 kjo shifër arriti në 11.164.569 lekë. Të njëjtin trend rritës ka pasur dhe pasuria e gjyqtarit Shkëlzen Selimi, ndërsa Meid Bici është gjyqtari me më pak të ardhura në Gjykatën e Lartë, por dhe ai ka trend rritës krahasuar me vitin 2014.

Pasuria e të gjithë emrave është duke u skanuar nga komisioni i vetingut dhe nga javën e ardhshme priten rezultate. Për çdo emër ka pasur verifikime në mbi 10 institucione, duke kontrolluar llogaritë bankare, të dhënat e pronësisë së objekteve apo dhe pagat e deklaruara të familjarëve. Në pamje të parë pasuria e anëtarëve të Gjykatës së Lartë është shumë e lartë, por në fund do jetë Komisioni i Pavarur i kualifikimit ai që do të japë vendimin final./Pamfleti

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com