Ndryshon rrjedha për 3 autorët qe i moren jeten Marvi Mihalit pas publikimit të pamjeve filmike dhe denoncimit publik të prindërve të 23-vjeçarit që u vra për një karikues celulari.
Nga “moskallëzim krimi” Dejvi Bitraj, Kridens Alla dhe Marsel Alla tashmë do përballen me akuzën e “vrasjes në bashkëpunim”.
Mësohet se 3 javë më parë, babai i Marvit të ndjerë, Pavllo Mihali ka shkuar në Prokurorinë e Përgjithshme ku është pritur nga drejtuesit e lartë të prokurorisë të cilëve u është ankuar për prokurorin Artan Lulaj.
Prokuroria e Përgjithshme me angazhimin e vetë Arta Markut ka vendosur të ndryshojë prokurorin e çështjes duke ia lënë në ngarkim një prokurori të ri.
Kështu, iu hoq “nga duart” çështja prokurorit Artan Lulaj i cili la të lirë 3 autorët dhe iu ngarkua prokurorit të ri Gjergji Tako, raporton newsbomb.al.
Ky i fundit, menjëherë ka ndryshuar akuzën ndaj 3 të rinjve, bashkëpunëtorë në krim me Eugen Bitrajn, nga “moskallëzim krimi” në “bashkëpunim në vrasje”.
Akuza e artikuluar nga prokurori Gjergji Tako, është pranuar nga gjykata dhe tre të rinjtë pritet të kthehen sërish në qeli.
Marvi Mihali, 23-vjeç, djalë i vetëm i familjes Mihali mbeti viktimë si pasojë e plagëve të shumta me thikë gjatë sherrit banal që ndodhi më 31. 07. 2017 pranë stadiumit “Selman Stermasi” për një karikues telefoni.