Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, do të dalë mesditën e sotme para Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda. Ish-ministri Tahiri do të kërkojë heqjen e masës së sigurisë ‘arrest shtëpie’, të vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë. Kërkesa për heqjen e kësaj mase është dorëzuar një javë më parë nga avokati i tij mbrojtës, Maks Haxhia.
Seanca e sotme do të zhvillohet në orën 13:00, ku pritet vendimi i Apelit të Krimeve për ish-ministrin, i cili akuzohet si bashkëpunëtor në trafikun e drogës me Habilajt.
Prokuroria ka dyshime se ish-ministri i Brendshëm ka takuar në një hotel në Korfuz Artan Habilajn, vëllain e Moisi Habilajt, i arrestuar në Itali në tetor të vitit 2017, si kreu i grupit kriminal të trafikut të drogës.
Nga ana e tij, Saimir Tahiri dorëzoi në fillim të muajit maj mandatin e deputetit, duke deklaruar se do të përballet me akuzat e Prokurorisë, deri në zbardhjen e plotë të së vërtetës.
Ndërkohë, pak orë përpara kësaj seance të rëndësishme të gjykatës, është ambasadori amerikan, Donald Lu, i cili ngre hije dyshimi të forta. I dërguari i Uashingtonit ka thënë se vendimi i Apelit duhet të bazohet mbi prova dhe jo presione.
Kemi dëgjuar disa raportime nga burime të pavarura për presione serioze në këtë çështje, përfshirë edhe ryshfete që u janë ofruar gjykatësve. Ne i bëjmë thirrje shoqërisë civile dhe medias që ta vëzhgojnë këtë çështje me vëmendje, në mënyrë që vendimi të bazohet mbi provat dhe ligjin dhe jo mbi presione, kërcënime apo para. Askush nuk është mbi ligjin.
Duhet theksuar se deklarata e zotit Lu erdhi menjëherë pas festës me Ilir Metën dhe Fatmir Mediun.
Të shohim a do intimidohen gjyqtarët dhe a do t’i nxjerrë zoti Lu provat për presion mbi gjykatën.