Për udhëtimet që mund të bëhen një herë në jetë, udhëtime familjare dhe udhëtime të qëndrueshme, zgjedhim vendet më të mira për të vizituar këtë vit
Irish Times në një artikull të gjatë rreth destinacioneve për 2018 rendit Shqipërinë të dytën si vendi më i lirë dhe më i bukur ku mund të kalosh pushime të paharrueshme.
Në kategorinë e destinacioneve të lira e të mira, Baiona, Galicia zë vendin e parë, Shqipëria të dytin, Turqia të tretin që ndiqet nga Costa de la Luz dhe Wild Atlantic Way.
Shqipëria në artikull përshkruhet si një vend jo lehtësisht i arritshëm kur ke planifikuar të udhëtosh me familjen, por si një vend që nuk do të të zhgënjejë në aspektin e pushimeve.
“Nuk është vendi i parë që të vjen ndërmend kur vendos të udhëtosh me familjen, nuk është aq lehtë për të shkuar – duhet të fluturosh përmes Manchester (kur je në Irlandë) – por ka faktorin risi dhe është shumë më e lirë se Italia dhe Kroacia. Plazhet janë shumë të bukura, fshatrat të çuditshëm –shkoni për një vizitë në qytetin mesjetar të Krujës, në rrënojat e Apollonisë dhe Berat , ky i fundit nën mbrojtjen e Unescos për trashëgimi botërore. Berati njihet për kishat byzantine dhe arkitekturën otomane. Qiraja e makinave është 10 euro dita dhe restorantet e akomodimi janë po kaq lirë. Dhe dielli do të shkëlqejë” – përshkruan Irish Times Shqipërinë.
Shqipëria është promovuar si destinacion për 2018-ën edhe nga National Geografic, saite të ndryshme italiane dhe europiane.
Vendi ynë mbetet një nga destinacionet më të lira në Europë për pushime, por mbi të gjitha vazhdon të ruajë pjesën ekzotike të vendeve të virgjra, të egra, të paprekura nga dora e njeriut, për të cilat tyristët e huaj janë tepër të interesuar.