Në vendin tonë është folur gjithmonë, për një strehim modest të Mek, grupit opozitar iranian, të njohur si muxhahedinë. Por për herë të parë, në disa pamje ekskluzive të kampit të strehimit të tyre në Shqipëri, CNN zbulon se në fakt bëhet fjalë për një bazë gjigande me stil ushtarak.
Sakaq gazetari investigativ Richard Engel në shkrimin e tij, thotë se kohët e fundit, për grupin Mek me histori terrorizmi, janë paguar me mijëra para në drejtim të ish-ambasadorit të Kombeve të Bashkuara John Bolton dhe Rudy Giuliani, politikan amerikan, ish-kryebashkiak i New York, në mënyrë që të flasin për këtë lëvizje. Investigimi i plotë do të transdmetohet ekskluzivisht sonte në MSNBC (e NBC).
Tashmë John Bolton që gazetari përmend në shkrim, është një ndër këshilltarët më të afërt të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump për sigurinë nacionale.
Bolton është edhe një ndër personat që edhe nga Shqipëria në një vizitë në vitin 2017, kërkoi rrëzimin e regjimit iranian dhe ardhjen në pushtet të muxhahedinëve.
Presidenti Trump javët e fundit ka rrëzuar marrëveshjen që u arrit mes Iranit, SHBA-ve dhe shteteve të tjera perëndimore për bllokimin e zhvillimit të armëve bërthamore nga ana e Iranit.
Vendimi i Trump duket se është i qëllimshëm për të rrëzuar regjimin në Iran dhe ta zëvendësojë me muxhahedinët, pasi edhe vendimi për armët bërthamore, nuk është pasuar nga asnjë zgjidhje apo argument alternativ.
Pjesë nga shkrimi investigativ i Richard Engel
Nëse sheh perimetrin duket si një kamp modest, por kur e sheh nga ajri I ngjajn një kompleksi gjigand me stil ushtarak. Kush po paguan për të gjitha këto shpenzime!?
Një ish pjesëtar i Muxhahedinëve që jetojnë në Tiranë, Saadalah Saafi, thotë se paratë për MEK vijnë nga shtete të pasura Arabe që janë kundër Iranit. Muxhahedinët u larguan nga Lindja e Mesme falë një pakti me Shtetet e Bashkuara. Ata thotë se duan të drejtojnë Iranin demokratik pas ndryshimit të regjimit.
Por ish pjesëtari Saafi shprehet se grupi në fjalë është i rrezikshëm dhe një kult i dhunshëm i cili abuzon me vetë pjesëtarët e tij.
“Unë personalisht janë torturuar fizikisht dhe jam abuzuar mendërisht prej tyre. Një mik i imi u torturua e më pas u vra prej tyre. Nëse ata i bëjnë kësisoj gjërash vetë ndjekësve të tyre, me siguri ata do t’i tradhtojnë iranianët kur të vijnë në pushtet.
Do të jetë një fatkeqësi absolute dhe jam i bindur se edhe amerikanët do të pendohen për të!” përfundon rrëfimi i ish pjesëtarit të MEK.
Pra kush janë muxhahedinët dhe kush nga rrethi i ngushtë i Presidentit Donald Trump i do ata në pushtet?!- pyet gazetari.
Historiku i strehimit të muxhahedinëve në Shqipëri
Anëtarët e organizatës Muxhahedinët Popullorë të Iranit (MEK, e cila konsiderohej, deri pak vitesh, organizatë terroriste nga shumica e vendeve perëndimore, nga Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian, respektivisht deri më 2008 dhe 2009, përfshirë edhe vetë SHBA-të deri në vitin 2012. Kjo lëvizje u krijua në fillim të viteve 1960 si lëvizje proteste kundër regjimit të Shahut të Iranit dhe vepron në emigrim. Vendosja e muxhahedinëve në Shqipëri daton në vitin 2012, kur qeveria e udhëhequr në astë kohë nga Sali Berisha pranoi kërkesën e qeverisë amerikane për të pritur rreth 210 muxhahedinë të MEK. Qeveria amerikane duhej t’i shpërngulte nga baza e saj ushtarake në Irak, pas tërheqjes nga ky vend. Më tej, në 2014-ën, qeveria me kryeministër Edi Ramën, pranoi strehimin e qindra muxhahedinëve të tjerë, të cilët kanë mbërritur në vazhdimësi që atëherë në grupe të ndryshme.
Më shkurt 2016 në Shqipëri mbërritën, nga kampi i tyre në Irak, 22 muxhahedinë, duke e çuar numrin total të muxhahedinëve të strehuar deri tani në vendin tonë në rreth 750. Ky numër përbën rreth 70 për qind të gjithë muxhahedinëve të MEK-ut të strehuar në vende të treta me ndërmjetësimin e SHBA-ve.
Ministria e Brendshme e Shqipërisë ka krijuar të gjitha lehtësitë që muxhahedinët të marrin statusin e azilantëve.
Çfarë është MEK
MEK ishte ndër nxitësit dhe mbështetësit kryesorë të Revolucionit Iranian të vitit 1979, i cili rrëzoi regjimin e Shahut. Pas revolucionit, në Iran u vendos një sistem teokratik islamik nën udhëheqjen e Ajatullah Khoeminit, që hasi kundërshtinë e ashpër të MEK-ut që ishte kundër autokracisë islamike. Si pasojë, regjimi Iranian filloi persekutimin e anëtarëve të organizatës që detyroi drejtuesit e saj dhe mijëra anëtarë të emigronin.
Shumica e tyre u mirëpritën në Irak nga Sadam Huseini, i cili i ofroi organizatës një territor të pazhvilluar pranë kufirit me Iranin. MEK-u e shndërroi territorin në një qendër me infrastukturë moderne dhe ekonomi të zhvilluar që u njoh si Qyteti Ashraf.
Në Ashraf, MEK iu përkushtua përgatitjes ushtarake të anëtarëve të saj duke u shndërruar në grupin më të madh dhe më të fuqishëm militant kundër regjimit iranian, i cili zhvilloi, për më shumë se dy dekada, një veprimtari intensive terroriste për rrëzimin e qeverisë iraniane. MEK, njëkohësisht, bashkëpunoi ngushtësisht me regjimin e Sadam Huseinit, si gjatë luftës Irak-Iran edhe pas saj.
Për shkak të aktivitetit të saj, MEK ka qenë njohur zyrtarisht si organizatë terroriste nga shumë qeveri perëndimore, përfshi atë të SHBA-ve.
Gjatë operacionit ushtarak për rrëzimin e Sadam Huseinit, forcat e koalicionit bombarduan edhe Qytetin Ashraf të cilin e konsideronin bazë terroriste.
Mbas pushtimit të Irakut, forcat amerikane dhe muxhahedinët negociuan një pakt paqeje, në bazë të të cilit muxhahedinët dorëzuan armët dhe premtuan t’i ktheheshin jetesës paqësore civile. Si rezultat, rreth 3 mijë muxhahedinëve të Ashrafit iu dha statusi i civilëve të mbrojtur nën Konventën e Gjenevës dhe ushtria amerikane mori përsipër sigurinë e Qytetit të Ashrafit.
Në vitin 2009, ushtria amerikane ia kaloi kontrollin e Ashrafit qeverisë irakiane, e cila premtoi trajtimin njerëzor të tyre. Pavarësisht premtimit, forcat irakiane ndërhynë brutalisht në Ashraf me qëllim vendosjen e kontrollit të tyre policor në zonë, veprime që hasën rezistencë nga muxhahedinët. Konfliktet çuan në dhunë të armatosur që shkaktoi dhjetra viktima mes muxhahedinëve. Qeveria irakiane filloi persekutimin sistematik të tyre dhe dhunë sistematike për t’i detyruar muxhahedinët të largoheshin nga Iraku.
Këto veprime ngallën reagimin e organizatave ndërkombëtare humanitare, nën presionin e të cilave qeveria amerikane i mori në mbrojtje muxhahedinët duke i strehuar në Kampin Liberty të ushtrisë amerikanë në Baghdad.
Bashkë me tërheqjen e amerikanëve nga Iraku lindi nevoja e gjetjes së një zgjidhje të problemit të muxhahedinëve. Për këtë arsye, në vitin 2012, qeveria amerikane e hoqi organizatën nga lista e organizatave terroriste, dhe filloi të kërkonte mundësi për sistemimin e tyre në vende të ndryshme të botës.