Loading...

Vjen me mision në Tiranë Luigi Soreca, njeriu që do të ngrejë SPAK-un dhe luftojë korrupsionin. Nis reprezalja në politikë dhe drejtësi nga SHBA-BE

Bashkimi Europian dhe SHBA kanë dhënë sinjale se shumë shpejt do të nisë reprezalja në politikë dhe drejtësinë shqiptare. Dje është vendosur largimi i ambasadorëve Donald Lu dhe Romana Vlahutin, ndërsa në Tiranë do të vijnë ekspertë në fushën e drejtësisë, të cilët do të zyrtarizojnë ngritjen e SPAK dhe do të nisin arrestimet në nivele të larta. SHBA ende nuk ka nxjerrë një emër për pasardhësin e Lu, ndërkohë që në Bruksel përflitet se ambasador i ri i BE do të jetë Luigi Soreca.

Ai është me nënshtetësi italiane dhe punon prej vitesh në rangje të larta në Bruksel. Soreca ka qenë i angazhuar me Shqipërinë gjatë procesit të liberalizimit të vizave, moment ku e ka ndihmuar vendin tonë shumë. Por interesant është fakti se italiani Luigi Soreca ndryshe njihet si eksperti antikorrupsion. Njeriu që do të marrë pas pak ditësh detyrën e ambasadori të ri të Bashkimit Evropian në Tiranë është njohës i mirë i çështjeve të sigurisë, i legjislacionit në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimeve të tjera të rënda, dhe ka punuar me EUROPOL dhe CEPOL.

Ai emërohet si ambasador në Shqipëri në një moment shumë delikat për zbatimin e reformës në drejtësi. Edhe pse miratimi i saj u krye me konsensus të plotë, organet e reja të drejtësisë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Struktura e Posaçme Antikorrupsion dhe Byroja Kombëtare e Hetimit nuk janë ngritur ende. Shpeshherë është deklaruar se ngritja e tyre do të kryhet së shpejti, por deri më tani nuk është parë asnjë rezultat.

Siç duket, Bashkimi Evropian do të sjellë në Shqipëri ekspertin antikorrupsion me qëllim ngritjen e organeve të reja dhe për të goditur korrupsionin. Pra me ardhjen e tij, pritet që organet e reja të ngrihen dhe reforma në drejtësi të futet në një fazë të vrullshme. Në këtë mënyrë, rriten edhe pritshmëritë për reprezalje në politikë dhe në drejtësi, ku pritet që shqiptarët “të prekin” edhe arrestimet “VIP”. Me pak fjalë, ardhja e ekspertit italian pikërisht në këtë moment, jep sinjalet e Bashkimi Evropian po përgatitet për goditje të korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivele të larta.

Të dhëna për Luigi Soreca

Në jetëshkrimin e Luigi Soreca të publikuar në faqen zyrtare të Bashkimit Evropian zbulohen edhe disa detaje të tjera rreth punës së tij. Aty thuhet se ai është Drejtor për Sigurinë në DG HOME, e cila kontribuon për të ofruar një nivel të lartë sigurie për qytetarët evropianë. Kjo drejtori është përgjegjëse edhe për zhvillimin e politikave anti-drogë. Ai ka qenë përgjegjës për menaxhimin e Qasjes Globale ndaj Migrimit dhe Lëvizshmërisë si dhe për të tjera aspekte ndërkombëtare të migracionit.

Lu drejt Kirgistanit

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu dhe ambasadorja e Bashkimit Evropian, Romana Vlahutin do të mbahen mend gjatë nga shqiptarët sepse kanë patur një rol shumë të fortë gjatë miratimit të reformës në drejtësi me konsensus të plotë, pavarësisht klimës së ngatërruar politike në atë kohë. Ndërkohë, ditën e djeshme është bërë publik edhe vendi se ku do të vijojë detyrën e tij diplomatike Donald Lu. Senati Amerikan ka caktuar që Lu të dërgohet me mision në Kirgistan, por akoma nuk dihet se kush do ta zëvendësojë amerikanin në vendin tonë. “Donald Lu, Kaliforni, një anëtar i karrierës në Shërbimin e Lartë të Jashtëm, do të jetë ambasador i jashtëzakonshëm dhe i plotfuqishëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kirgistanit”, thuhet në njoftimin e Senatit Amerikan./SOT

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com