Loading...

Ç’do të ndodhë të enjten? A do të shtyhen zgjedhjet?

[sgmb id=”1″]

Kolegji Zgjedhor do të vendosë të enjten e 18 majit ankimimin e Partisë Agrare Ambientaliste për shpalljen e pavlefshmërisë së regjistrimit të listave të kandidatëve. Ky vendim do t’i japë zgjidhje dhe propozimit të Partisë Demokratike që kërkon shtyrjen e zgjedhjeve deri në fund të shtatorit, shkruan “Panorama”.

Nëse Kryeministri nuk do të pranojë shtyrjen e zgjedhjeve, siç ka kërkuar opozita, atëherë shansi i fundit do të jetë vendimi i Kolegjit Zgjedhor për afatet e depozitimit të listave të kandidatëve për deputet të partive.

Një vendim i Kolegjit kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për pranimin e listave me një ditë vonesë rrëzon datën 18 qershor për zgjedhjet, më pas çdo gjë do të nisë nga e para. Presidenti i Republikës duhet të caktojë një datë të re për zgjedhjet që pritet të jetë në vjeshtë, kohë që ka kërkuar edhe Partia Demokratike, ndërsa nuk dihet nëse do të plotësohen kërkesat e tjera të opozitës për ministrat teknikë.

Relatori i çështjes është gjyqtari Gjin Gjoni, ndërsa katër anëtarët e tjerë janë Tomorr Shkreli, Sotiraq Lubonja, Ridvan Hado dhe Artur Malaj. Kërkesa në emër të opozitës është bërë nga Partia Agrare Ambientaliste, e cila është miratuar me vendim të KQZ-së si parti pjesëmarrëse në zgjedhjet e 18 qershorit, por që nuk depozitoi listën e saj të kandidatëve për deputet.

Opozita këmbëngul se listat e partive me kandidatët për deputet janë dorëzuar jashtë afateve ligjore, duke pretenduar se data përfundimtare ka qenë 28 prilli në orën 24:00 dhe jo 29 prilli, ditë kur partitë dorëzuan listat me emrat e kandidatëve.

Partia Aleanca Popullore, me kryetar Artur Dojakën, i është bashkuar PAA-së duke iu drejtuar Kolegjit Zgjedhor me një kërkesë, ku kërkon pavlefshmëri të regjistrimit të kandidatëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“Kërkojmë gjykimin e çështjes në themel, duke vendosur çregjistrimin e listave shumemërore të kandidatëve për deputet si të depozituara jashtë afatit të përcaktuar në nenin 67 të Kodit Zgjedhor”, thuhet në kërkesën e PAP-së që padit KQZ-në.

“Duke qenë se Kodi Zgjedhor e përcakton afatin e dorëzimit të listave duke përcaktuar një periudhe 50-ditore, pra afatit të përcaktuar me ditë. Kjo periudhë përcaktohet thjesht duke numëruar 50 njësi ditore që i paraprinë datës 18 qershor 2017”, thuhet në kërkesën e PAP-së.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com