[sgmb id=”1″]
Policia ka shoqëruar gjashtë persona si të dyshuar për krimin e ndodhur të dielën në mbrëmje në fshatin Rukaj të Matit, ku mbeti i vrarë Hajredin Lleshi.
Efektivët e Komisariatit të Burrelit e kanë gdhirë natën jashtë në kërkim të autorëve të vrasjes së 60-vjeçarit dhe pas kontrolleve të shumta në fshatrat përreth e në Mamurras, ku dyshohej se strehoheshin ata, u shoqëruan gjashtë persona.
Ata janë të afërm (dajat dhe familjarë të tjerë) të emigrantit të vrarë disa vite më parë në Angli, Agim Hoxha. Autori i dënuar për këtë krim është nipi i 60-vjeçarit të vrarë dy net më parë.
Gjatë marrjes në pyetje nga Policia, mësohet se të dyshuarit kanë mohuar që të kenë lidhje me vrasjen.
“Nuk kemi lidhje me vrasjen. Nuk jemi ne autorët”, mësohet të kenë deklaruar në polici të shoqëruarit, të cilët, pasi janë marrë në pyetje, janë lënë të lirë. “Kemi ushtruar kontrolle në fshatrat Rremull, Rukaj, Bruç, Prell e Urakë. Nuk kemi lënë banesë të braktisur pa kontrolluar. Kemi ngritur gjatë gjithë natës postblloqe në akset rrugore Rukaj-Rrëshen dhe Urakë-Burrel. Çdo mjet është kaluar në filtër. Po ashtu kemi udhëtuar drejt Mamurrasit, ku kishim dyshime se ishin strehuar autorët e krimit. Kemi shoqëruar gjashtë persona dhe po hetojmë fort për përfshirjen ose jo të tyre në këtë ngjarje”, tha për “Panorama” një zyrtar i Policisë së Matit.
Po sipas tij, autorët janë njohës të mirë të terrenit dhe ka gjasa të kenë pasur si bashkëpunëtorë persona që e njihnin mirë zonën dhe viktimën Hajredin Lleshi. “Ne shoqërojmë vazhdimisht persona të dyshuar. Po hetojmë nëse ndër personat e shoqëruar ka të përfshirë në këtë ngjarje, apo në atë të katër viteve më parë”, sqaruan burime nga grupi i hetimit.
I njëjti burim shtoi se po hetohet në lidhje me makinën që u gjet e djegur pardje, pak kilometra larg banesës së familjes Lleshi në Rukaj. Gjatë ditës së djeshme, familjarët e viktimës nuk janë marrë në pyetje nga hetuesit e ngjarjes, pasi ata kanë pritur ngushëllimet për humbjen e njeriut të tyre.
Pas deklaratave të fundit të Ministrit të Brendshëm Xhafaj se Policia e Shtetit ka qenë e përfshirë në kultivimin e kanabisit, në kundërshtim me pretendimet e ish-Ministrit Saimir Tahiri, Exit ka marrë konfirmim nga Ministria e Brendshme që i famshmi “Raporti i Guardia Finanza”, nuk ekziston.
Më 7 tetor 2016, ish-ministri Tahiri shpërndau të dhënat e një “raporti”, të cilin ai pretendonte se ishte hartuar nga Guardia di Finanza italiane. Ky raport pretendonte se në vitin 2016 Policia e Shtetit kishte shkatërruar 99.8 për qind të sipërfaqeve të mbjella me kanabis në vend. Edhe pse vështirë se dikush i besonte ato shifra, Ministri Tahiri i përdori ato në mënyrë agresive për të heshtur kundërshtarët dhe për të sulmuar opozitën.
Në një post në Facebook, Zoti Tahiri shkroi:
“Për ata që kanë sy e vesh, më poshtë të dhënat zyrtare të Guardia di Finanza dhe Policisë së Shtetit […]:
[…]Në 2016 policia shkatërron 99.8% të hapësirës së kultivuar. Në 2012shkatërronte 0% dhe në 2013 shkatërronte 7,5%. Kush është narkotrafikanti?!?! Qeveria e lidhur me bandat e drogës kush është?!?!”
Pas paraqitjes së një kërkesë për informacion për të marrë raportin që citonte ish-ministri Tahiri, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme Genci Gjonçaj, i konfirmoi Exit.al se “një raport publik në formatin që keni kërkuar nuk ekziston”.
Letra jep dhe informacione të mëtejshme se nga ku janë marrë të dhënat e “raportit” që Tahiri citon:
“…ndërsa informacioni i publikuar nga Policia e Shtetit dhe përfaqësuesit e Guardia di Finanza-s, në datë 07.10.2016, është hartuar duke u mbështetur në procedimet penale për kultivimin dhe trafikimin e narkotikëve, të kryera deri në atë periudhë. Këto procedime janë të depozituara në Prokurori e si të tilla, nuk mund të publikohen, për shkak të hetimit.”
Me fjalë të tjera, shifra prej “99,8 për qind e plantacioneve të shkatarruara”, e deklaruar nga ish-Ministri Tahiri bazohej në procedimet penale të nisura nga Policia e Shtetit. Kjo përqindje tregon se Policia ka shkatërruar 99,8 për qind të parcela që ka identifikuar. Dikush mund të pyesi çfarë ka ndodhur me o,2 për qindshin e mbetur të plantacioneve të identifikuara?
Pra shifra prej 99,8 për qind nuk do të thotë asgjë për numrin e vërtet.