Loading...

‘’Dallimi i madh mes një lideri të vërtetë dhe një papagalli që s’di të pushojë’’. Karagjozi i SHQUP-it që bëri si vetja gjithë opozitën

Këtu është edhe dallimi i madh midis një lideri të vërtetë dhe një papagalli që s’di të pushojë. Martin Luter-it i mjaftoi vetëm një fjali: “I have a dream” (Unë kam një ëndërr) që të ndryshonte historinë e Amerikës. Kjo fjali ishte e barabartë sa i gjithë fjalimi që ai mbajti, për të cilin hyri edhe vetë në histori.
Shkruan Altin Ketro

Nuk është shumë etike ta etiketosh liderin e opozitës me këtë fjalë, por sjellja e tij në çdo seancë të Kuvendit, nuk na lë shteg tjetër interpretimi. Tashmë kushdo e kupton se strategjia e Partisë Demokratike në çdo seancë plenare është që t’i prishë ato. Shkojnë me paramendim në godinën ku populli opozitar i ka votuar që t’i përfaqësojë dhe e shpërdorojnë mundësinë e artë të fjalës, duke dhënë shfaqje banale të forcës.

Skenari tashmë është i njohur. Pasi opozita regjistron një duzinë emrash deputetësh për diskutim, i pari e merr fjalën lideri Basha dhe nis e flet pa pushim a thua se nuk ka rregullore që normon diskutimet. Qëllimi është i qartë; diskuto përtej limiteve, rezisto kërkesave të kryetarit Ruçi për të respektuar rregulloren, ngri deputetët pranë foltores dhe uzurpo seancën parlamentare.

Tashmë, me kushtet e teknologjisë, kanë gjetur edhe një mënyrë tjetër duke shfrytëzuar rrjetet sociale për të vijuar diskutimin live edhe pse seanca plenare është ndërprerë. Se çfarë do të thotë lideri Basha nuk ka pikë interesi, sepse mendimet e tij dihen ende pa i artikuluar me gojë. Ai mund të flasë aq orë sa i janë caktuar partisë së tij në total për të diskutuar, dhe mund të mos thotë asgjë; mund të diskutojë edhe 10 minuta, aq sa i takon me rregullore, e të thotë gjithçka.

Këtu është edhe dallimi i madh midis një lideri të vërtetë dhe një papagalli që s’di të pushojë. Martin Luter-it i mjaftoi vetëm një fjali: “I have a dream” (Unë kam një ëndërr) që të ndryshonte historinë e Amerikës. Kjo fjali ishte e barabartë sa i gjithë fjalimi që ai mbajti, për të cilin hyri edhe vetë në histori.

Por Lulzim Basha nuk arrin ta kuptojë këtë dhe vijon të kopjojë modelin berishian të diskutimeve me fjalime të gjata, plot akuza, të cilat përsëriten vazhdimisht, aq sa e lodhin edhe militantin më të vendosur për të pasur nerva për t’i dëgjuar deri në fund.

Të vetmet gjëra që ai thotë janë: droga-droga-droga, krimi-krimi-krimi, Tahiri-Tahiri-Tahiri (dje), Xhafaj-Xhafaj-Xhafaj (sot). Sado i uritur që të jesh, kur të shërbehet i njëjti ushqim çdo ditë, vjen një moment që thua: mjaft, mos ma nxirrini më këtë gjellë për nja 6 muaj se më vjen për të vjellë.

Çfarë humbte opozita nëse lideri i saj diskutonte 10 minuta dhe i linte hapësirë edhe të tjerëve nga kampi i vet të shfrytëzonin minutazhin e diskutimeve? Absolutisht asgjë. Kemi 8 muaj që refreni i opozitës bie vetëm në një vrimë dhe kurrë deri më sot nuk e kemi parë që të diskutojë me frymë kritike e konstruktive për projektligjet që qeveria çon në Kuvend. Kjo e nxjerr opozitën në sytë e opinionit publik si e paaftë që të ofrojë alternativë qeverisëse dhe e vetmja gjë që dinë të bëjnë është që të akuzojnë vazhdimisht kundërshtarin për të njëjtën temë.

Lulzim Basha kujton se më këto shfaqje teatrale që bën në Kuvend frymëzon më shumë militantë rreth partisë së vetë. Por është e padiskutueshme që një forcë politike të vijë në pushtet nuk mjaftojnë kurrsesi votat e vetëm anëtarësisë së saj. Dhe, që të fitosh mbështetje popullore, përtej asaj partiake, duhet një lider frymëzues që të jetë dinjitoz edhe kur flet në Kuvend, që vizioni dhe shpresa që ai përcjell në elektorat të shkojë përtej interesave personale. Gjithashtu, kjo gjë vlen edhe kur gjithë grupi i tij parlamentar sillet me personalitet.

Në sytë e opinionit publik grupi i PD-së ngjan si një çetë truprojash që rrethojnë kryetarin sa herë atij i ndërpritet me rregullore fjala. Jo vetëm kaq, po ata sillen hëm si kameramanë, hëm si regjisorë, hëm si teknikë transmetimi televiziv, duke dalë jashtë çdo funksioni për të cilin kanë shkuar në atë sallë.

Lulzim Bashës me gjithë grupin e deputetëve, në radhë të parë u ka humbur respekti për veten përderisa regjistrojnë emrin për diskutim dhe kërcasin e ikin nga puna për të cilën paguhen nga taksat e popullit. Taksapaguesit shqiptarë i paguajnë që të jenë gardianë gjatë miratimit të ligjeve, me qëllim që mazhoranca të mos gabojë. Por jo, ata e kanë humbur sensin e seriozitetit dhe kanë marrë tiparet e karagjozëve politikë. Xhanëm, si vetë kryetari i tyre!

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com