Loading...

Vllaznisë i ra kurora! Sa turp! Qyteti që mbet pa identitet!

Nga Senad Nikshiqi
Nuk ra Vllaznia por ra qyteti. Ra historia, ra Shkodra, u godit historia e futbollit shqiptar.
Sot qajnë zemrat e dhjetra brezave, ish lojtarë e ish trajnerë të Vllaznisë që për 100 vite me radhë i dhanë lavdi dhe futbollin e kthyen në fe në Shkodër. E injektuan në zemrat e gjithsecilit si pjesë e familjes së tyre. Sot qajnë zemrat e miliona tifozëve në gjithë këto 100 vite në historinë e futbollit shkodran. Ata që sakrifikuan duke lënë shpirtin e tyre në shkallët e stadiumit, për Vllazninë e tyre, dashurinë më të madhe të jetës. Sot qan historia!
Vllaznia i dha lamtumirën elitës së futbollit shqiptar në mënyrën më të pamerituar të mundshme. Skuadra që zgjoi emocione tek tifozë të pafundëm u sfumua padrejtësisht. Frymëmarrja e një qyteti për një moment u ndal sepse emblema e tyre u godit në momentin më të gëzueshëm atëherë kur do të duhej të festohej 100 vjetori i krijimit
Ne sot nuk duhet të bëjmë gjë tjetër veçse të kërkojmë falje për emra e panumërt të cilët bënë që Vllaznia të jetë krenaria e Shkodrës, faqja e ndritur e historisë së futbollit shqiptar. Vitin e ardhshëm, në jubileun, datën më të rëndësishmë, 100 vjetorin, ditëlindjën e simbolit të shkodranëve nuk do te ketë një festë por një ditë zie. Duhet të kërkojmë falje.
Sot nusja mbeti pa vel, nusja pa kurorë, sot një qytet përulet përpara këtij turpi që zanafillën e ka këtu e 7 vite më parë. Bashkia Shkodër e mori në dorë Vllazninë me idenë se do ta mbante një ekip të madh por në fakt shumë shpejt u kuptua se ishte një tradhti. Një tradhti me dashurinë më të madhe të shkodranëve. Vllaznia u bë një aset politik i partisë demokratike, i kryetarëve të bashkisë, drejtuesve e ish-drejtuesve që e përdorën si deshën duke e mbajtur si xhaketë sa herë që ju duhej për t’u mbuluar. E shkelën, e përdhosën dhe e shkatërruan për ta sjellë deri tek kjo ditë e zezë duke vulosur humnerën e Vllaznisë. Dhe kur? Në 100 vjetorin e saj. Një skenar turpi i përkryer që as në filma s’mund të realizohej.
Shpirti i shkodranëve është plagosur dhe buzëqeshjet janë ngrirë në buzë. Trupi i sëmurë prej 7 vitesh sot ‘dha’ shpirti duke i thënë mirupafshim vetvetes. Futbolli në Shkodër mbeti pa identitet sot nga këta që turpëruan një histori 100 vjeçare! Dorë vrastare e pamëshirshme që tronditi breza të tërë tifozësh, lojtarësh e trajnerësh që ndërtuan murin e madh të Vllaznisë, ekipi piedestal i futbollit shqiptar!
E pikërisht shtëpia e futbollit, aty ku futbolli mori jetë u rrënua si pa të keq. Një ëndërr që shuhet! Vllaznisë i ra kurora! Sa turp!

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com