Loading...

Domatet Zemërkau – Autentiket Shqiptare, Më Të Freskëtat e Stinës

Nga bahçet e kopshtet e shtëpive private e deri tek tek fermat e vogla, domatet zemërkau si qëmoti edhe sot të mrekullojnë me shijen e tyre të freskët.

Një prodhim tërësisht me farë autentike shqiptare, domatet zemërkau janë padyshim nga produktet më të veçanta ndër fruta-perimet e kultivuara në Shqipëri.

Me shije dhe aromë unike, me tul të plotë e natyrale domatet zemërkau të prodhuara kryesisht në kopshtet private apo edhe në parcela të vogla nësera e ferma mbeten më të preferuarat e shqiptarëve.

Specialistët thonë për AgroWeb.org se shija dhe vlerat e domates së vendit, përfshirë dhe atë të varietetit zemërkau janë të një niveli shumë të lartë, falë edhe kushteve klimaterike relativisht të ngrohta në Shqipëri.

Domatet zemërkau kanë një shije të lehtë. Ato shijojnë shumë, sidomos nëse konsumohen sapo këputen nga pema e tyre, kjo pasi ato janë delikate dhe zbuten brenda dy apo tre ditëve.

Kjo është edhe arsyeja përse këto lloj domatesh krahasuar me domatet e tjera tradicionale prodhohen në sasi të limituara dhe nuk gjenden masivisht në tregje.

Aktualisht, domatet zemërkau gjenden në tregjet e fshatarëve por edhe në tregjet e fruta perimeve pavarësisht se sasia e tyre është e limituar.

Për shkak të shijes së tyre unike, çmimi i tyre është më i lartë se varietet e tjera të domateve.

Aktualisht kur sapo kanë nisur të shiten në tregje, 1 kg domate zemërkau kushton 250 lekë të reja, megjithatë çmimi i tyre pritet të ulet më shumë në javët në vijim.

Domatet shqiptare më të kërkuarat në tregjet evropiane dhe jo vetëm
Domatet shqiptare janë shumë të kërkuara në eksport. Ato shkojnë kudo, deri ne Rusi. Nëse do t’i referohemi sasisë së produkteve të eksportuara, perimet dhe frutat janë mbretëreshat e tokave tona. Shqipëria eksporton në vit mbi 52 mijë ton perime, nga të cilat 34 mijë ton domate.

Interes në rritje për perimet e freskëta Made in Albania po tregojnë tregjet lindore, si Bullgaria, Serbia, Bosnja, Kroacia dhe Hungaria.

Por sipas të dhënave të AgroWeb.org, edhe Gjermania, Italia, Hollanda e Franca janë tepër të interesuara për të blerë prodhimet tona të freskëta. Kryesisht domaten, por edhe perime të tjera, duke i ofruar sektorit të bujqësisë një domethënie më të madhe për rolin që ka në ekonominë tonë.

Tregu i Bashkimit Evropian paguan shumë më mirë sesa tregjet rajonale për njësi prodhimi.

Vlerat e domates
Domatet përfshirë edhe ato zemërkau janë të njohura për përmbajtjen e lartë të antioksidantëve.

Vetë pigmenti karotenoid është sipas shkencëtarëve tepër i rëndësishëm për shëndetin e kockave.

Domatet janë një burim i jashtëzakonshëm i Vitaminës C dhe Vitaminës K.

Ajo është bujare në përmbajtjen e potasit, magnezit, fibrave, vitaminës A, B6, folatit, Vitaminës E, fosforit, kromit, proteinave, zinkut dhe hekurit.

Domatet të bëjnë mirë për zemrën, ulin kolesterolin dhe trigliceridet.

Studime të shumta, të cilave u referohet AgroWeb.org kanë treguar që domatja është e shkëlqyer në mbrojtjen e zemrës. Jo vetëm prej vlerave antioksidante por edhe për faktin që rregullon yndyrnat në qarkullimin e gjakut./AgroWeb.org

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com