Loading...

”Çështja Xhafaj”/ Prokuroria e Krimeve të Rënda në kërkim të ‘Ermalit’

Prokuroria e Krimeve të Rënda i fokuson hetimet për përgjimin e vëllait të ministrit Xhafaj në Vlorë.

Tashmë, në fokus të hetimeve është personi i përmendur në video me emrin “Ermal”, që do të ndihmonte “dëshmitarin X” të bënte trafikun e drogës. Burime brenda organit të hetimit thonë për “Panorama”, se dy oficerë të Policisë Gjyqësore kanë qenë në qytetin e Vlorës këto ditë në kërkim të të dhënave për personin e quajtur “Ermal”.

Kështu, sipas burimeve, janë marrë kamerat e sigurisë së mjediseve përreth për datat kur dyshohet se mund të jetë konsumuar takimi mes Albert Veliut dhe Agron Xhafajt në lokalin e këtij të fundit. Gjithashtu, burimet thonë se janë verifikuar edhe të gjithë efektivët e Policisë së Vlorës, pasi ka pasur dyshime se “Ermali” mund të ketë qenë një zyrtar i lartë i uniformave blu. Lidhur me këtë gjë, Krimet e Rënda shprehen mjaft të rezervuar për rezultatet e hetimeve.

Deri më tani, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda janë thirrur për dëshmi Albert Veliu, i njohur si “dëshmitari X” në video, dy deputetët e PD-së, Ervin Salianji dhe Enkelejd Alibeaj, si edhe Gazment Bardhi. Gjithashtu, në Prokurori është pyetur edhe gazetari Jetmir Olldashi, i cili mendohet se ka kryer përgjimin.

Të dhëna për “Ermalin” ka dhënë vetëm Albert Veliu dhe në bazë të të dhënave të tij po kryhen verifikimet. Më herët, në Prokurori ka qenë edhe vëllai i ministrit Xhafaj, që ka dhënë versionin e tij për ngjarjen dhe ka lënë një regjistrim të zërit për krahasim me përgjimin.

Agron Xhafaj pretendon se zëri nuk është i tij dhe se përgjimi i publikuar nga PD është montazh. Ai është nisur drejt Italisë, ku ka shkuar me avokatin për të zgjidhur çështjen e dënimit në Itali. Lidhur me ekspertimin e videos, një burim i tha “Panoramës” se Prokuroria e Krimeve të Rënda ende nuk ka vendosur se ku do ta dërgojë regjistrimin për ekspertim. Deri më tani po shqyrtohen marrëveshjet që janë me vendet partnere dhe më pas do të vendoset të dërgohet atje.

I njëjti burim i tha “Panorames” se po pritet që të identifikohet dhe të merret dëshmia e “Ermalit” në mënyrë që të vendoset për hapin tjetër të hetimit. Kujtojmë se fundjavën që lamë pas, Prokuroria e Krimeve të Rënda vendosi që të bashkojë dy çështjet për regjistrimin. Kështu, denoncimi i Agron Xhafajt për “kallëzim të rremë” ndaj tre zyrtarëve të PD-së në Prokurorinë e Tiranë iu bashkua të premten procedimit të nisur kryesisht me akuzat e PD-së për përgjimin e vëllait të ministrit Xhafaj.

Në këtë audioregjistrim të zhvilluar në Vlorë, Albert Veliu, sipas PD-së, i kërkon Agron Xhafajt ta ndihmojë me një ngarkesë droge. Personi ka qenë i njohuri i Agron Xhafajt dhe, sipas PD-së, pasi u burgos, Agron Xhafaj nuk u interesua më për të.

Në audioregjistrim, bashkëbiseduesi që mendohet se është Agron Xhafaj, i thotë bashkëpunëtorit Veliu se kohët e fundit po sulmohej shumë nga opozita dhe se ishte hera e parë dhe e fundit që e ndihmonte. Ai e adreson te një person me emrin “Ermal” dhe më pas biseda mbyllet. Mirëpo, audioregjistrimi është konsideruar si i manipuluar nga qeveria.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com