Loading...

“Grand Albanik”, një nga shembujt e shkëlqyer të agroturizmit

Fshati shqiptar duhet t’i kthejë sytë nga agroturizmi. Me shembujt e suksesit në fushën e agroturizmit që tashmë ekzistojnë në Shqipëri, qeveria synon të nxisë jo vetëm investitorët, por edhe vetë fermerët të shfrytëzojnë pasuritë natyrore për t’i kthyer në një biznes mjaft fitimprurës. Një prej këtyre shembujve të suksesit ndodhet në Ballaban të Këlcyrës, ku Magide, një investitor francez, sëbashku me bashkëshorten e tij shqiptare, Elonën, kanë ndërtuar fermën e quajtur “Grand Albanik”.

Kryeministri Edi Rama në një bisedë të zhvilluar në fermën e tyre, së bashku me fermerë të tjerë të zonës, shpjegon se qeveria ka një paketë të posaçme mbështetjeje për agroturizmin shqiptar. “Është gjëja që ne duam të nxisim shumë, se ju jeni një ndër shembujt, por ka dhe shembuj të tjerë që janë pozitivë, ka pak akoma, por për këtë arsye, ne jemi shumë të interesuar që t’i promovojmë dhe t’i nxisim të tjerët që të hyjnë në këtë rrugë. Në këto zona, një familje që zotëron një pozicion dhe një pronë mund të marrë mbështetje nga qeveria për të transformuar shtëpinë në një bujtinë, për ta kthyer në një instrument fitimprurës nëpërmjet një ferme të vogël që i shërben tavolinës, nuk është për tregun dhe është rezultat i sigurte.”

Elona, e cila pas një tjetër eksperience të suksesshme në fushën e agroturizmit në qytetin e Elbasanit është kthyer për të investuar në vendlindjen e saj, shprehet mjaft e kënaqur me rezultatet e punës së deritanishme. “Kemi gati 2 vjet e gjysmë që punojnë dhe investojmë këtu. Kemi shumë pak kohë që jemi hapur. Gjithçka po shkon shumë mirë. Jemi shumë të kënaqur. Është edhe më larg seç e kemi pritur. Tani me sezonin turistik, edhe sepse kemi bërë pak publicitet nëpër guida turistike franceze etj., ka të huaj që vijnë, por edhe shqiptarë. Kemi gati 10 vjet që merremi me agroturizmin.”

Kryeministri Rama thekson se të gjithë ata që do të ngrenë një fermë, bujtina, apo restorante do të përjashtohen nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, ndërsa do të përfitojnë edhe nga ulja e taksave të tjera. “Paketa e re mbështetëse financiare nuk është vetëm te subvencionet direkte që do japim për projekte në agroturizëm në çdo zonë të Shqipërisë, nga Thethi deri në Konispol, por është dhe tatim-fitimi 5%, është dhe TVSH 6%. Pra, siç është TVSH-ja 6% për hotelet me 4 dhe 5 yje që do ndërtohen, do jetë edhe për të gjitha strukturat e agroturizmit, për hotelet dhe bujtinat në një fermë të vogël, edhe me fjetje dhe restorant në dispozicion. Këto incentiva, besoj, do tërheqin edhe paranë e sipërmarrësve të ndryshëm, që mund t’i kenë lënë këto vende dhe kanë shkuar në Tiranë, që kanë mundësi të investojnë në pronat e tyre të prindërve, gjyshërve, por edhe për familjet në fshat.”

Edhe Alex, një tjetër francez, bashkë me Migenën, kanë ndjekur të njëjtin shembull, duke blerë një tokë aty pranë, për të zhvilluar modelin modern të bujqësisë. “Ky është një shembull që është i vlefshëm edhe për ata që janë në emigracion, sepse kanë kursimet e tyre, kanë të ardhurat e tyre dhe kanë një kapital që duke ardhur në këto zona, duke pasur një pronë këtu, apo një shtëpi të vjetër mund ta vënë këtë kapital dhe mund të fitojnë shumë më tepër sesa mund të fitojnë me punën në emigracion, ndërkohë që atje mund të vazhdojnë të qëndrojnë për shkak të fëmijëve etj., për një periudhë kohe, por mund ta lënë në shfrytëzim këtu me të tjerë njerëz. Është një rrugë e njohur që e kanë ndjekur shumë të tjerë përpara nesh dhe që ne kemi mundësi ta ndjekim tani, sepse kemi shumë zona të virgjëra dhe të mrekullueshme,” shprehet Kryeministri.

Ferma “Grand Albanik” është një bujtinë ku tradita është në harmoni të përsosur me ekologjinë dhe ku ofrohen prodhimet bujqësore të zonës, delikatesat franceze dhe gatimet përmetare. “Ne mundohemi që nëpërmjet produkteve bazë, që janë të një cilësie të jashtëzakonshme, duke filluar nga qumështi, djathi, mishi, të mund ta sjellim në një formë pak më elegante,” shprehet Elona, duke shtuar se ky është gjithashtu vendi ideal për të kaluar një fundjavë në kohë pune dhe javën e plotë në kohë pushimesh.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com