Kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje banorëve të Tepelenës dhe qyteteve të vogla që ti kushtojnë rëndësi agroturizmit, përmes hapjes së hoteleve dhe bujtinave.
Ai tha se kushdo që të investojë në këtë fushë, do të ketë tatim fitimi vetëm 5%, ndërsa TVSH-ja do të jetë vetëm 6%.Rama premtoi gjithashtu ndihmë financiare nga shteti për këto investime.
“Kemi përpara një minierë të pashfrytëzuar për të bërë para, aty ku duket sikur varfëria është dënim i përjetshëm. Kemi minierën e bukurisë së vendit tonë dhe këtyre zonave. Si mund të bëjmë para? Jo për të mbijetuar, por për të pasur mirëqenie me bukurinë, traditën e mikëpritjes dhe duke e transformuar shtëpinë dhe tokën rrotull në një agrobiznes. Në Nivicë kishin mbetur 30 familje dhe mund të blije shtëpi me 2 milionë lekë të vjetra. Sot atje është gjëja më e vështirë për të blerë shtëpi.
I bëj thirrje të gjithë atyre që janë në emigracion të shohin mundësinë për të bërë agroturizëm, do të kenë tatim fitimi vetëm 5% dhe tvsh vetëm 6%. Kjo është një zonë ku blegtoria mund ti shërbejë tryezave të mikëpritjes përmes bujtinave dhe hoteleve të vegjël të agroturizmit. Në vend që ata që kanë 10 dele të merohen ku do e shesin qumështin dhe djathin, krijohet një cikël i mbyllur që i bën të gjithë të fitojnë para.”, tha Rama.