Kryetarja e Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe njëherësh deputete e PS, ka hedhur dje poshtë përgjimin ndaj vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. E ftuar në një emision televiziv, ajo tha se gjithçka është trillim i opozitës për të sulmuar ministrin. Sipas deputetes, me këto lëvizje PD është duke goditur vendin dhe të ardhmen europiane. “Opozita i ka përqendruar bateritë e veta në mbajtjen gjallë të një gënjeshtre, që e sajoi dhe e hodhi në publik. Më shumë sesa i bën keq individëve që preken nga kjo gjë, ajo i bën keq interesave të vendit.
Në këtë moment të gjitha partitë politike të vendit duhet të ishin bashkë, pasi jemi para momentit kur Shqipëria pret çeljen e negociatave, pas një rekomandimi të pakushtëzuar. Kjo çështje është një gënjeshtër e madhe. PD për fatin e saj të keq, i është dashur që për të ngritur një çështje të tillë të zhytet në gjirizet më të thella të krimit.
Agron Xhafaj apo çdo person tjetër nuk do kishte një mbrojtje më të mirë se ajo dëshmi e çalë që dëgjuam”, u shpreh Felaj. Deputetja Felaj tha se dëshmitari X është tërësisht i pabesueshëm. Sipas saj, gjithçka është montazh. “Ai është i pabesueshëm. Ka kaq shumë kapërcime logjike. Është tërësisht i montuar. Bisedat duket që janë krejt pakuptim.
Duke dëgjuar dëshmitarin të krijohet ideja sikur ky e përgjoi se donte të hakmerrej. Po nëse e dëgjon duket sikur thotë se Agron Xhafaj përgjoi veten dhe ai dha PD. Pra ka mospërputhje të mëdha mes dy dëshmitarëve që serviri PD. Këta persona do të jenë në rolin e deklaruesit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, dhe të ndihmojnë në zbardhjen e së vërtetës për këtë ngjarje që e ngritën ata vetë”, tha ajo.
Partia Demokratike pak ditë më parë publikoi një audio-përgjim, ku pretendohet se është duke biseduar vëllai i ministrit Xhafaj për trafiqe droge. PS doli dhe i hodhi poshtë, ndërsa më pas opozita publikoi një intervistë të të ashtuquajturit “dëshmitari x”.
Ky i fundit pretendon se ishte ai që bisedonte me Xhafajn për trafiqe droge. Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama doli dhe deklaroi se nuk do të ketë shkarkim të Fatmir Xhafajt nga detyra. Ndërkohë prokuroria ka nisur hetimet dhe do jetë ajo që do të vërtetojë nëse regjistrimi është autentik apo jo./SOT