Departamenti i Liçensimit në FSHF njofton opinionin sportiv se ka përfunduar procesi i liçensimit të klubeve, të cilat aplikuan për të marrë një liçensë për pjesëmarrje në kompeticionet Europiane (sezoni 2018-2019).
Në lidhje me sistemin e liçensimit:
Duke pasur parasysh situatën e liçensimit të klubeve për vitin që kaloi (këtu i referohemi rastit te KF Tirana), fillimi i procesit të liçensimit të klubeve (dhjetor 2017) sivjet i parapriu emërimi nga ana e komitetit ekzekutiv të FSHF të kompanisë “Auditing Partners”, si eksperte në kriterin financiar.
Gjatë gjithë periudhës së procesit të licensimit, deri më 31 mars, kohë kur përfundoi procesi, kompania “Auditing Partners” ndihmoi dhe kontrolloi të gjithë klubet aplikante për përmirësimin e dokumentacionit financiar të tyre.
Në përfundim të procesit të liçensimit, të dhjetë klubet e Kategorisë Superiore paraqitën në sektorin e liçensimit në FSHF, brenda afateve të parashikuara në rregullore, gjithë dokumentacionin e nevojshëm (kriterin sportiv, kriterin e infrastrukturës, kriterin e administratës & personelit, kriterin ligjor, brenda 28 shkurtit 2018, dhe kriterin financiar brenda 31 marsit 2018, që përkon me datën e mbylljes së vitit kalendarik ekonomik).
Dosjet me materialet përkatëse iu dërguan ekspertëve të çdo kriteri, të cilët, pasi bënë verifikimet e të gjithë dokumentave, paraqitën në sektorin e liçensimit raportet përfundimtare për secilin klub aplikant, në lidhje me plotësimin apo mosplotësimin e kritereve.
Komisioni i Liçensimit të klubeve, i mbledhur në datë 23 prill 2018, pasi shqyrtoi të gjithë dokumentacionet e paraqitura nga ekspertët e kritereve, vendosi t’iu japë liçensën për të marrë pjesë në kompeticionet e UEFA-s, për sezonin 2018-2019 klubeve:
KF Skënderbeu
FK Kukësi
KF Luftëtari
KF Laci
FK Partizani
KF Teuta
Komisioni i Liçensimit të Klubeve vendosi të refuzojë dhënien e licensës (për mospërmbushje të kriterit financiar) klubeve:
FC Flamurtari
KF Vllaznia
FK Kamza
KF Lushnja
Të gjitha vendimet iu bënë të njohura klubeve aplikante (duke ruajtur edhe konfidencialitetin ndërmjet tyre). Brenda afateve të parashikuara në rregullore, “FC Flamurtari” e apeloi vendimin e Komisionit të Liçensimit për refuzimin e liçensës në Komisionin e Apelit për Liçensimint e Klubeve.
Komisioni i Apelit, i mbledhur në datën 30 prill 2018, pasi shqyrtoi të gjithë dokumentacionin e paraqitur nga ana e sektorit të liçensimit te klubeve, si dhe të dokumentave shtesë të paraqitura nga “FC Flamurtari”, vendosi të lërë në fuqi vendimin e Komisionit të Liçensimit të Klubeve, pra refuzimin e licensës.
Ky vendim iu bë i njohur edhe FC Flamurtari (gjithnjë, duke ruajtur konfidencialitetin me klubet e tjera). Ju bëjmë me dije se arsyeja për të cilën këto vendime të marra nga Komisionet e Liçensimit të Klubeve nuk janë bërë publike deri tani, është vetëm ruajtja e integritetit dhe pastërtisë së garës (pasi, nëse ndonjë nga vendimet e këtyre komisioneve do të bëhej publike, atëherë mendojmë se gara mund të prishej).