Loading...

Pjesa e dytë e përgjimit një blof i vërtetë, kjo është arsyeja

Ka rezultuar një “flluskë” e vërtetë pjesa e dyët e përgjimeve të çështjes “Xhafaj” që kishte trumbetuar me të madhe opozita. Përgjimet e reja të paralajmëruara nga PD dhe gazetari Jetmir Olldashi, të cilat u transmetuan mbrëmë, nxjerrin në pah nivelin amatoresk të investigimit dhe ngrejnë tjetër pikëpyetje mbi vërtetësinë e materialit.

Dje në mbrëmje ky material është transmetuar në një television periferik dhe nuk ka sjellë asgjë të re, përkundrazi. Pamjet filmike që janë transmetuar tregonin më së shumti dyshemene e një lokali që pretendohej se ishte i Agron Xhafës, por që mund të ishte në çdo cep të Vlorës ose më mirë të themi në çfarëdo vendi në Shqipëri.

Po kështu bisedat e përgjuara mes Albert Veliut, të ashtëquajturit “Dëshmitari X” ose “Babalja” dhe disa personave të panjohur në prani të gazetarit Olldashi, për të blerë hashash në sasi të mëdha, jo vetëm që nuk vërtetonin asgjë, por shtonin pikëpyetjet mbi vlerën e dëshmitarit.

Nga gazetari na ishte thënë se “Babalja” kishte arritur me lehtësi të blinte kanabis, por nga bisedat e transmetuara dukej se asnjë nga personat me të cilët ai kontaktoi nuk kishte ndonjë afrimitet të madh me të, madje edhe hezitonin të flisnin hapur me të.

Këto pjesë të vogla që janë transmetuar dje kanë treguar një investigim të dobët nga ana gazetareske që vë jo vetëm nuk vërteton akuzat e forta që ka ngritur, por hedh hije dyshimi mbi gjithë kauzën e ngritur nga opozia.

Olldashi: Nuk e di nëse është ajo po zëri i Agron Xhafës

Edhe qëndrimi i gazetarit Jetmir Olldashi gjatë ditës së djeshme tregon një stepje, madje edhe distancim të tij nga linja e Partisë Demokratike. Gjatë një interviste në emisionin “Studio e Hapur” të gazetares Eni Vasili gazetari Olldashi ka deklaruar që nuk është edhe aq i sigurt se në ato përgjime është Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm.

Olldashi tha se ai nuk ka qenë i pranishëm në ambientin ku u zhvillua përgjimi, por se besoi tek “Babalja” ose Albert Veliu pasi herën e parë kur ishte bashkë me të në lokalin e tij pa që kishte njohje me të. Por se nuk mundi të shkonte për së dyti në lokalin e Agron Xhafaj pasi vinte në rrezik jetën.

“Pasi foli ai në telefon bëra një verifikim nëpërmjet true caller. S’kisha mundësi të tjera”, tha ndër të tjera gazetari Olldashi. “Unë nuk e di nëse Agron Xhafa është i përfshirë në trafik. Unë s’kam asnjë prove, asnjë element për ta vërtetuar atë”, ka deklaruar gazetari.

Një element tjetër i habitshëm është edhe fakti që Partia Demokratike e ka pasur prej disa muajsh këtë përgjim në dorë të saj dhe nuk e ka publikuar. Sipas gazetarit Olldashi përgjimi është realizuar në tetor 2017 dhe në mars 2018 materiali është dorëzuar tek Partia Demokratike. Gazetari Jetmir Olldashi ka deklaruar se ka qenë dje në prokurori ku ka deponuar për aq sa dinte në lidhje me gjithë procedurën e përgjimit.

Treshja e PD jep shpjegime në Prokurori

Treshja e partisë demokratike Gazmend Bardhi, Ervin Salianji dhe Enkelejd Alibeaj, janë marrë në pyetje nga prokurorët e krimeve të rëndë, lidhur me hetimin e nisur tashmë nga kjo prokurori, pas publikimit të audio-përgjimit. Dy prokurorët që kanë asistuar në marrjen në pyetje të tre personazheve të PD, ishin Gentian Osmani dhe Përparim Kulluri.

Nga dëshmia që kanë dhënë Bardhi dhe Alibeaj, kanë pohuar se nuk e kanë njohur më parë shtetasin Albert Veliu allias “Babalja”, duke sqaruar se me imazhin e tij janë njohur vetëm pasi ishte shfaqur audio-përgjimi. Bardhi dhe Alibeaj, kanë pohuar në prokurori se kanë denocnuar rastin e trafikut të drogës dhe se sipas tyre kishin bërë një shërbim ndaj opinionit publik.

Sipas tyre, në materialin që ata kanë publikuar tregohet qartë se vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, Geron Xhafaj, ishte aktiv në trafikun e drogës nga Vlora në drejtim të Italisë. Sipas dëshmisë së tyre ata kishin denoncuar një rast flagrant të trafikut të drogës dhe për këtë, ata ftonin dy prokurorët që të hetonin dhe të pyesnin Geron Xhafaj dhe hulumtonin lidhjet e tij në trafikun e drogës.

Dëshmia e Salianjit

Pas daljes nga prokuroria të Bardhit dhe Alibeaj, në pyetje është marrë deputeti Ervin Salianji. Ky i fundit ka qëndruar më gjatë nga dy kolegët e tij, pasi siç mësohet është pyetur lidhur me bisedat që ka zhvilluar me gazetarin Jetmir Olldashi për marrjen e audio-përgjimit të bërë mes Albert Veliut dhe Agron Xhafaj. Salianji i ka treguar dy prokurorëve se ishte telefonuar personalisht nga gazetari Jetmir Olldashi, me të cilin kishte njohje dhe më parë.

Salianji mësohet se ka treguar që pasi ka marrë materialin në një USB, ka njohur me këtë audio-përgjim kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe më pas janë njohur dhe dy deputetët e tjerë Gazmend Bardhi dhe Enkeled Alibeaj. Sipas Salianjit pasi janë njohur me materialin kanë vendosur që ta publikojnë atë në media, nëpërmjet një konference për shtyp nga selia e Partisë Demokratike.

Ballafaqimi Olldashi-Veliu

Burime pranë prokurorisë thanë se në vijimësi të këtij hetimit, mund të zhvillojnë një seancë ballafaqimi mes dy protagonistëve të këtij rregjistrimi. Qëllimi i këtij ballafaqimi do konsistojë në sqarimin e disa përplasjeve që Veli dhe Olldashi kanë pasur në dhënien e dëshmisë së Velit në Prokurori dhe deklaratës së Olldashit në media. Pavarësisht kësaj, pritet që në ditët në vijim prokuroria të kërkojë dhe eskpertë që do kryejnë ekspertimin e vërtetësisë së këtyre videove të realizuara nga gazetari Olldashi dhe Albert Veliu./Shqiptarja.com

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com