Shkodra është qyteti më i pasur në Botë. Është i vetmi qytet në Botë ku mirëqenia shpërthen vullkanshëm në çdo milimetër katror të saj. I vetmi qytet në Botë që ka një ngrohje publike falas. Kjo ngrohje e cila krijohet nga djegia e mbeturinave në kosha jep gjithkah erën e saktë të mirëqenies tonë.
Qyteti ynë i dashur ka banorë aq të pasur saqë nuk kanë nga të dërgojnë e si ti shpenzojnë paratë, dhe jua japin atyre që kanë më shumë nevojë për to si doktorave, pedagogëve e atyre të gjorë gjykatës e prokurorë.
Gjykatës të ndershëm që jetojnë në këtë qytet të pandershëm… gjykatës të cilët nuk e kanë orën aq të shtrenjtë sa makina ime, sepse unë nuk kam makinë. Me ato para që kisha ndarë në një anë, apo edhe në të dya anët për të blerë një makinë, gjykatësi i mirë ka blerë orën, e me kusurin si të mos i blente orës edhe një kuti me jastëk kashmiri?!
Ora duhet që të qëndrojë e butë në kutinë e saj sepse nëse ora nuk qëndron mirë mund ti prishet ndonjë gremç dhe të trazontë duart të mirit zotit gjyqtar. E nëse atij i trazohet dora mund të harrojë se nga kush e ka blerë atë orë, e mund të japë një vendim të drejtë… larg qoftë! Edhe nëse e jep një vendim të drejtë kush do ta vlerësonte në këtë qytet të shtrembëruar gjithnjë e më tepër?
Edhe doktorave ne iu japim shpërblimet e premtuara, të pamerituara dhe kurrë të fituara. Ne, populli i pasur i Shkodres i japim doktorëve një ndihmesë sa për të mbajtur frymën gjallë, se rroga e tyre sa katër fishi i tonës nuk ju del. Të gjorët doktor të cilët jan trajnuar aq mirë nëpër Botën universitare shqiptare… jane mbushur me raste grashë të cilat vuajnë nga prostata.
Po pedagogët pastaj… kjo kategori mirëfilli e dëbuar dhe e harruar e shoqërisë. Aq keq ndejhen këto pedagogë saqë e meritojnë të ndihmohen nga ne populli i mirëqenë i Shkodrës sepse nuk munden te jetojnë në qytetin tonë që i paragjykon e nuk i do, por detyrohen të ndërtojnë shtëpiza modeste nëpër plazhe vetëm me ato çka ne të mirëqenurit e Shkodrës u dhurojmë.
Në fund të fundit dhe krishtërimi aq fort i piedestalizuar nga vendet perëndimore thotë se duhet të bësh mirë. E ku ka më mirë se të ndihmosh këto njerëz të varfër të cilët si besim kanë paranë e si Kishe ku e forcojnë besimin kane profesionin e tyre?/Lajme Ditore