Zhduket pa lënë gjurmë prej 5 ditësh një 29-vjeçar nga Vlora.
Familjarë të tij pretendojnë se i riu ka dalë një ditë të bukur nga banesa dhe e fundit me të cilën ka komunikuar ka qenë nëna e tij të cilës i ka thënë se po shkonte në spital, për t’u vizituar për shqetësimet që ndiente me shtyllën kurrizore.
Personi i zhdukur quhet Kleant Çela, për të cilin Policia nuk ka dijeni, pasi aty nuk është paraqitur deri sot asnjë familjar për të bërë denoncim.
E vetmja deklaratë është në Prokurori, ku persona të afërt të Çelës kanë rrëfyer edhe për një letër që ai ka lënë për familjen dhe të fejuarën.
Sic konfirmon gazetari i “Panorama” në Vlorë, në letër thuhej: ‘Po iki përgjithmonë nga shtëpia, po iki jashtë Shqipërisë, mos më kërkoni më, ju uroj gjithë të mirat’.
Vetë familjarët nuk kanë një shpjegim për këtë veprim të të riut.