Qeveria do të zhvendoset këtë fillim jave në qarkun e Gjirokastrës, për të kryer dy procese: llogaridhënien publike dhe mbledhjen e qeverisë në këtë qark. Të hënën veç inspektimeve në Libohove do të ketë në orën 14:00 dëgjesë me minoritetet në Dervican për ndryshimet ligjore në këtë kategori.
Në 16:00 do të ketë mbledhje qeverie në Gjirokastër, e më pas një takim llogaridhënës me banorët e këtij qyteti në Pallatin e Sportit. Në orën 19:30 do të zhvillohet një darkë me personalitetet të spikatura të qarkut, ndërsa të martën axhenda do të vijojë me një darkë të Ramës me drejtuesit e partisë.
Të martën, axhenda nis në orën 9 në një takim me të gjithë drejtorët rajonalë të këtij qarku, ndërsa në 11 do të prezantohen projektet zhvillimore të Tepelenës, e më pas do të ketë një drekë me fermerët për të promovuar skemat nxitëse në këtë drejtim në Ballaban.