Loading...

Vithkuqi, ku vera është e artë dhe dimri një parajsë

Gjikë Kurtiqi

Vështirë të gjesh në Shqipëri një vendbanim tjetër malor me resurset turistike që ka Vithkuqi. Jo më kot, që në vitet ‘30 të shekullit të kaluar, studiuesi dhe historiani i shquar Ilo Mitkë Qafzezi kur shkruante për vendet turistike të rrethit të Korçës,Vithkuqin e radhiste të parin. A mund të më gjeni një vendbanim me 100 kroje, ku janë ndërtuar 3 kala të lashta, 24 kisha e 3 manastire, duke filluar nga shekulli XIII dhe deri në ditët tona?!…Cili vendbanim ka një bukuri të tillë natyrore, me kaq shumë pyje, livadhe, kodra e kodrina të bleruara, gurra, kroje e burime me ujë të kristaltë si Vithkuqi?! Cili vizitor i huaj e ka kaluar verën në Vithkuq dhe nuk është larguar prej tij me bindjen se do të kthehet përsëri?! Se nuk ka marrë me vete një ndjenjë të ngrohtë, një kënaqësi e një mirësi nga ky vendbanim historik?!

Vithkuqi në shekuj

Si qendër banimi Vithkuqi daton me fillimin e shekullit të dytë para Krishtit, ai ka qenë vazhdimisht i banuar në të gjitha periudhat historike. Dëshmi për këtë janë kalatë e lashta si: Kalaja e Leshnjës, që vendasit e quajnë “Kodra e Manastirishtës”; Kalaja e Bellovodës; Kalaja e Lubonjës; Kalaja e Shën Pjetrit, është ndërtuar në majën e kodrës së manastirit të Shën Pjetrit. Shkëlqimin më të madh Vithkuqi e pati sidomos gjatë shekujve XVII, XVIII dhe XIX. Ai ka patur disa lagje, si lagjen Grekas, e cila ekziston edhe sot dhe është nga lagjet më të mëdha të Vithkuqit, dhe që ngjason me lagjen Goricë të qytetit të Beratit, me grupe fisnore shtëpish të vendosura njëra sipër tjetrës; lagjja Shurbas, Strataj, Kaplëkuras etj., të cilave terreni ju ofronte afërsisht të njëjtat kushte. Po këtë stil ka patur edhe lagja Lias, e ndërtuar në rrjedhën e ujrave të Fejasit, lagja Tataç që ishte përtej lumit Osum dhe lagja Bredhas në hyrje të qafës së Bredhit. Lagja Dukas, Janolli, që ekzistojnë edhe sot, po në të njëjtin kurriz. Për analogji me lagjen Dukas ka qënë edhe lagja Koligjergjas që shtrihej në kurrizin e kodrës së Shën Gjergjit, poshtë lagjes Grekas, si edhe lagja Xhajmaz që shtrihej në të djathtë të lagjes Saraq deri në Skivan. Po kështu edhe lagjet e tjera të qytetit të Vithkuqit i janë përshtatur relievit të thyer. Të tilla kanë qënë lagjet Kushtanjka, lagja Skënderas, Qyran e Nano që shtriheshin në të dy anët e lumit Osum, si dhe lagja Borisht në luginën e bukur midis kodrës së Shën Pjetrit dhe kodrës në lindje të tij. Kjo lagje ka qënë nga lagjet më të pasura të qytetit dhe fillonte nga bregu i Osumit, në të hyrë të Leshnjës dhe deri tek Qafa e Ujkut. Rruga në mes të lagjes Saraq ndahet më pas në lagjet Melas, Miçuç dhe Xhajmas. Vithkuqi ka pësuar tre shkatërrime katastrofike; më i fundit, që u dogj i tëri dhe s’mbeti më këmbë as edhe një kasolle kashte, ishte gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Banesa

Banesa e Vithkuqit ka qënë tradicionalisht banesë guri. Ndërtimet e banesave janë bërë kryesisht nga zanatçinjtë vithkuqarë, që cilët merreshin edhe me ndërtimin e kishave e manastireve, duke shfaqur një talent të rrallë në skalitjen dhe përdorimin e gurit gëlqeror, çmërs apo edhe të mermerit që gjendet në zonën malore të Vithkuqit. Për mbulesat e banesave janë përdorur kryesisht plloçat (pllaka të holla guri), të cilat janë shumë të rezistueshme ndaj ngricave dhe nuk lejojnë kalimin e të nxehtit apo edhe të të ftohtit. Për kushtet e renda dhe pasigurinë që kishin në kohën e lashtë banesat rrethoheshin me avlli të lartë, për t’u ruajtur nga grabitjet dhe sulmet e të huajve e bandave të kusarëve.

Kuzhina

Vithkuqarët kanë dhe ruajnë një nivel jetese cilësor. Ky nivel trashëgohet që nga mesjeta, kur Vithkuqi ishte qytet i lulëzuar, por ai është pasuruar dhe përmirësuar veçanërisht nga emigracioni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në shtetet e Europës e të Ballkanit. E veçantë dhe shumë e pasur është edhe kuzhina në Vithkuq. Amvisat vithkuqare janë mjeshtre të mbaruara në bërjen e pastërmasë, të kollofaceve, kukurecit, të trahanasë, petkave, të tushive me lakër, me domate, me piperka, me piperka të mbushura me gjizë, djathë, me tranguj etj., të përgatitjes së likove, të gatimit të bukvaleve, përvëlakëve, zhamrazhikut, të petullave, petëve të fshira, gjellëve me mish, të supave me perime dhe me erëza, të tavave me qumështorë e perime dhe veçanërisht të lakrorëve, që piqen në saç dhe të krijojnë një ndjesi të papërsëritshme. Lakrorët ndahen në dy grupe, në lakrorë gruri dhe në lakrorë misri. Ka lakrorë misri të gatuara me gjizë, preshë e gjalpë që ua kalojnë gjithë picave dhe lakrorëve e byrekëve me mjell gruri. Nga ëmbëlsirat veçohen brushtullat që janë të shumllojshme.
ë Vithkuq tërheqëse janë edhe prodhimet e veshjes me lesh ose pambuk, të punuara me finesë ne vegë dhe me grep nga gratë dhe vajzat vithkuqare, si si qilimat, velenxat, kuvertat, rrugicat, mbulesat, perdet, kortinakat etj.

Varri i Pagëzimit

Siç thamë më lartë Vithkuqi ndoshta është i vetmi qytet në Shqipëri që ka numrin më të madh të kishave dhe manastireve, 24 kisha dhe tre manastire. Këto kisha veç arkitekturës së ndërtimit janë të pasura me ikona, ikonostase dhe afreske (pikturat murale), të punuara nga mjeshtëra të pikturës dhe druskalitjes, që flasin për nivelin ekonomik, kulturor, shoqëror e arsimor që arriti Vithkuqi qytet, gjatë një shekulli të robërisë feudale e ushtarake otomane. Secila nga kishat e Vithkuqit është një muze i veçantë arti, duke qenë pjesë organike e peizazhit vithkuqar, por dhe dëshmitarë të historisë së tij. Një nga këto objekte kulti me shumë interes është “Varri i pagëzimit”. Sipas tregimit të pleqve vithkuqarë dhe gojdhënës, në këtë varr janë varrosur gjithë pjesëtarët e familjes Thana, nga lagja Dukas e qytetit të Vithkuqit.

Ja kush i bën nder Vithkuqit

Nuk është e rastit, por ndër shqiptarët më të shquar dhe më të zgjuar të fundshekullit të 18-të dhe fillimshekullit të 19-të kanë qenë nga Vithkuqi. Madje Rilindja shqiptare fillon me Evstrat Vithkuqarin ose Jani Stratin, siç quhej ndryshe. Ky pararilindës i shquar ka një jetë akademike të lakmueshme për kohën, që fillojnë si profesor i Akademisë së Voskopojës, mësues në Përmet, Gjirokastër, Artë, Janinë e që vazhdon me mësimin e gjuhës shqipe që i jep shkencëtarit dhe diplomatit anglez Wiliam Lik në oborrin e Ali Pashë Tepelenës. Bashkë me Likun ai fillon edhe disa punime shkencore për hartimin e një gramatike dhe të një fjalori tri gjuhësh, shqip, anglisht, greqisht, ndërsa një punim tjetër për rregullat etike dhe logjike ia vjedhin. Në fund të jetës së tij Strati vendoset në Konstandinopojë, duke lënë një sërë veprash gjuhësore, por edhe një punim të pa përfunduar, analizën gramatikore të “Iliadës së Homerit.

Një tjetër figurë e Vithkuqit është Naum Veqilharxhi, rilindësi ynë i parë. Letra enciklike e Veqilharxhit, është promemoria dhe dokumenti i parë i platformës politike të lëvizjes së re që po lindte në gjirin e intelektualëve shqiptarë, Rilindjes Kombëtare. Ajo tregon largpamësinë e këtij ideologu, i cili me një herë më pas “futi duart në brumit”, duke nxjerrë të parën abetare shqiptare. Edhe Spiro Dine i “Valëve e Detit” ishte nga Vithkuqi. Këta janë të vjetrit, por më pas Vithkuqi nxori edhe plot figura të tjera shquara, si dijetarë, por edhe si luftëtarë.

Në shekullin e 20-të historia e Vithkuqit bëhet më tragjike. Midis dy luftërave botërore ai është djegur tri herë. U bëri ballë me sakrifica dhe heroizëm tre sistemeve shoqërore. Përpjekjet e shovinistëve grekë në Luftën e Parë Botërore për ta joshur këtë enklavë krishtere të rrethuar nga popullsi me besim mysliman, se ata, nisur nga besimi ortodoks, ishin grekë, por me qenë se nuk e arritën këtë e dogjën dhe rrafshuan krejt fshatin dhe bënë masakra të papara. Dhe e dyta, në Luftën e Dytë Botërore Vithkuqi u quajt “Stalingradi shqiptar”, jo vetëm pse aty u përqendrua drejtimi i Luftës, u formuan disa njësi të mëdha partizane si batalioni “Qamil Panariti”, Komanda e Vendit, Brigada e Parë Sulmuese, Ndërlidhja e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, jo vetëm se Vithkuqi u martirizua, u dogj dy herë, një herë nga italianët, por edhe herën tjetër nga gjermanët, të cilët bënë hi edhe rrënojat që kishin mbetur, por edhe për një fakt tjetër në dukje fare të thjeshtë, por që dëshmon karakterin e fort të njerëzve të këtij fshati, se në 300 e ca shtëpi, asnjë nuk u hodh në krahun tjetër, por të gjithë shkuan me Nacionalçlirimtaren.
Kishat dhe krojet e Vithkuqit

Vithkuqi ka 24 kisha dhe 100 kroje, të cilët i kam numëruar dhe përshkruar hollësisht në librin tim “Vithkuqi, 100 kroje dhe 24 kisha. Uji është brisk i ftohtë dhe në verë ia shton hijeshinë dhe freskinë fshatit, jo vetëm me gurgullimat, por edhe me gjelbërimin e kopshteve dhe të oborreve. Ndërsa për kishat Vithkuqi zë vend të veçantë në Shqipëri, jo për numrin e tyre, por për arkitekturën dhe zbukurimin e tyre. Manastiri i Shën Pjetrit në verilindje të katundit, mbi një breg të bukur, ka patur pasuri të madhe, edhe sot ka shumë dyqane në Korçë, nën të, një çiflig që quhet Leshnje, ka ullishte në Vlorë. Në këtë manastir bëhet panairi çdo 19 qershor. Vijnë shumë njerëz nga Korça dhe fshatrat për rreth. Në Vithkuq, të vjetra dhe me famë janë edhe kisha e Kryeëngjëjve, Shën Mërisë, Shën Spiridonit, Shën Kozmait, Shën Gjergjit, e shumë të tjera, kisha, që më së shumti kanë përhapur kulturë dhe dije se sa predikime e ide fetare.

Dëshmi historike

Rilindësi i njohur Nuçi Naçi që në vitin 1901 ka shkruar kështu për Vithkuqin:

“Vithkuqi në ditët e lulëzimit të tij ka patur 13.000 shtëpi…Madhërimi i shumtë i këtij qyteti nisi që nga 1100-a e sosi gjer më 1780 sa i joshi shumë armiq që e bënë plaçkë e rrëmujë. Asnjë libër i vjetër s’ka shkruar për Vithkuqin, por me fjalët që kanë ardhur gjer në shekullin tonë, mësojmë se vithkuqarët kanë qenë kamës, trima e luftëtarë të shquar, kufijtë e tyre i gjetëm gje në dytë udhë e kudo që venin kishin nder të madh. Edhe sot Vithkuqi ka kufij të mëdhenj e urdhëron shumë male. Emri që i është ngjitur sot e që e quajnë Vyth-kuq, është i lajthitur, e duhet të themi Vith-kuq. Ky emër i është vënë nga vidhi i kuq që ka me shumicë në malet përqark, i cili e ka fletën të kuqe. Ky emër është thjesht emër shqiptar”.

Bukuri, por edhe histori

Vithkuqi ka patur burra me peshë, patriotë kalibri si Evstrat Vithkuqari, Kostë Cepi, Naum Veqilharxhi, Spiro Dine, që i kanë bërë nder jo vetëm atij vendi, por edhe gjithë kombit shqiptar. Lobi i fuqishëm i vithkuqarëve të Amerikës, me ndihmat e tyre ekzaltuan aq shumë Nolin, sa ai në çast hodhi në letër vargun e famshëm “Mbahu nëno, mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë”. Në Luftën e Dytë Botërore Vithkuqi u quajt “Stalingradi shqiptar”, jo vetëm pse aty u përqendrua drejtimi i Luftës, u formuan disa njësi të mëdha partizane si batalioni “Qamil Panariti”, Komanda e Vendit, Brigada e Parë Sulmuese, Ndërlidhja e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, jo vetëm se Vithkuqi u martirizua, u dogj dy herë, një herë nga italianët, por edhe herën tjetër nga gjermanët, të cilët bënë hi edhe rrënojat që kishin mbetur, por edhe për një fakt tjetër në dukje fare të thjeshtë, por që dëshmon karakterin e fort të njerëzve të këtij fshati, se në 300 e ca shtëpi, asnjë nuk u hodh në krahun tjetër, por të gjithë shkuan me Nacionalçlirimtaren.
Klima dhe toka e Vithkuqit

Veç bukurisë që i ka falur natyra, Vithkuqi ka edhe disa veçori të tjera që zor se i gjen kund. Aty kanë shije të veçanta prodhimet bujqësore, e veçanërisht perimet dhe frutat e prodhuara nga vithkuqarët. Këtë shije ua u jep klima dhe toka vithkuqare. Në Vithkuq e ka burimin e vet edhe lumi Osum, i cili përshkon gjithë relievin dhe formon një basen që përmbledh të gjitha ujërat e gurrave e burimeve të shumta në këtë vend. Pranë Vithkuqit ndodhet liqeni artificial i Gjançit, ku ka lloje të veçanta peshku, midis të cilëve dallohet trofta. Vithkuqi njihet gjithashtu edhe si një nga vendet e pasura me kafshë të egra për gjueti. Në pllajat, luginat, kodrat dhe kullotat e Vithkuqit rriten shumë bimë medicinale si: dëllinja, çaji i malit, salepi, lule basani, lule shtogu, mëllaga, kamomili, sherebeli, xinxifilet etj. Falë pozicionit, rrethuar nga malet dhe pyjet, klima është e butë në dimër dhe e freskët në verë. Ajo jo vetëm që të çlodh në çdo stinë, por ka edhe shumë vlera kurative.

Vithkuqi (1)

Kisha-e-Shen-Mehillit

Vithkuqi

116

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com