Qyteza e Selenicës është e kufizuar me brigjet e lumit Vjosë në veri-lindje, vargu i Shashice-Çikës në perëndim dhe malësitë e Kurveleshit dhe Bashkia Himare në jug.
Qyteti Selenicë ndodhet në bregun e majtë të lumit Vjosë, rreth 34 km nga qyteti i Vlorës dhe ngrihet në zonën kodrinore, duke përfshirë minierën e bitumit, burimi i vetëm i këtij minerali në Shqipëri.
Qyteti Selenicë përmendet që nga antikiteti si një vend me emrin “Nympheum”, me zjarret e përjetshme, për shkak të burimit të mineraleve. Territori i bashkisë Selenicë përfshin qytetet e lashta të Olimpias dhe Amantias që datojnë në shekullin V p.K.
Gjithashtu si objekte kulturore përmenden kisha e Shën Thanasit, afresket e të cilit janë realizuar nga piktori i madh David Selenicasi, kisha e Armenit, etj.
Prania e qendrave të trashëgimisë arkeologjike dhe kulturore në territorin e bashkisë ka krijuar mundësi për zhvillimin e turizmit rural dhe kulturor. Menaxhimi ekonomik i bashkisë është fokusuar në bujqësinë dhe blegtorinë.