Në përgjimet e famshme të Habilajve, me siguri të gjithëve iu ka mbetur në mendje kostumi “Hugo Boss” për të cilin Moisi Habilaj u rrëfente bashkëpunëtorëve të tij se ia kishte blerë ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri në një dyqan në Romë.
Madje sipas asaj që thoshte Moisi Habilaj në përgjim, Tahiri na e paskesh zgjedhur vetë këtë kostum! Lidhur me këtë ka ardhur letërporosia nga autoritetet italiane.
Guardia di Finanza ka pyetur tregtarin e dyqanit nëse ka shitur një kostum Hugo Boos për ministrin por ai e ka mohuar kategorikisht një gjë të tillë.
Hetuesit i kanë treguar fotot e Saimir Tahirit dhe e kanë pyetur direkt nëse ai që shikonte në foto kishte zgjedhur ndonjë kostum por sërish përgjigja ka qenë negative.
Autoritetet italiane nuk e kanë lënë me kaq. Ato kanë marrë në administrim të gjitha shitjet e dyqanit në Romë por dhe nga ky verifikim nuk ka rezultuar të jetë shitur kostumi i pretenduar.
Kjo ka qenë edhe “pika e nxehtë” e seancës gjyqësore te Krimet e Rënda. Vetë Saimir Tahiri i ka kërkuar llogari gjykatëses Liljana Baku nëse kjo e fundit e ka lexuar se ç’thuhej në letër-porosi dhe pse hidhte poshtë këtë akuzë të pabazuar në asnjë provë e madje të rrëzuar edhe nga vetë hetuesit italiane.
Por kjo pyetje ka lënë pa përgjigje si gjykatësen ashtu edhe prokurorin e çështjes Besim Hajdarmataj që edhe pse koshient për akuzën e rrëzuar me kostumin “Hugo Boss”, nuk ka dhënë asnjë shpjegim, shkruan Newsbomb.
Aktualisht Saimir Tahiri ndodhet në “arrest shtëpie” në pritje të vendimit të gjykatës së Apelit.