Loading...

Kur Albert Veliun e konsiderojnë “të sinqertë” dhe Izet Haxhinë “gënjeshtar”

Izet Haxhia konsiderohet një “kriminel” nga Sali Berisha. Po ashtu edhe Saimir Tahiri, Agron Xhafaj e plot të tjerë që kanë qenë nën akuzë politike.
Nga Ardit Rada

Politika shqiptare ka qenë dhe mbetet mjeshtre për ta futur sistemin e Drejtësisë në qorrsokakë, edhe kur kjo e fundit mund të ketë pasur një fije vullneti për të qenë e paanshme. Si në rastin e 21 Janarit, ndalimin e gardistëve për vrasjet e bulevardit, sekuestrimin e kasetave filmike me qëllim hetimi apo pyetjen e dëshmitarëve, e të tjera si këto.

Muaji maj nisi me disa zhvillime që nuk i lanë radhë njëra tjetrës, duke filluar nga kthimi i Izet Haxhisë pas 20 vitesh, arresti shtëpiak i Saimir Tahirit dhe audio-përgjimi i pretenduar i PD-së ndaj Agron Xhafajt.

Duket se nxitimi i opozitës për t’i nxjerrë në fushëbetejë të gjitha armët njëherazi nuk është një taktikë, por synon zhvendosjen e vëmendjes së publikut dhe drejtësisë nga dëshmitari i vërtetë i ngjarjeve më të rënda në vend. Pikërisht Izet Haxhisë që mezi pritej 20 vite të dëshmonte para një gjykate shqiptare.
Janë sëpaku 16 dëshmi të ish-shoqëruesit të President Berishës që mendohet se do ta vejnë para bangës së të akuzuarit këtë të fundit. Ngjarje sa të harruara, po aq edhe me vlerë për një sërë dosjesh të mbuluara nga pluhuri duke përfshirë edhe atë të vrasjes së Azem Hajdarit.

Ndërkohë që pritet data se kur Haxhia do të dëshmojë para togave të zeza, Partia Demokratike duket se ka gjetur konkurrentin-dëshmitar të tij. Albert Veliu ishte një emër i panjohur deri më sot, dhe nga sot është një emër i diskutueshëm për fjalët e thëna. Edhe Haxhia është i diskutueshëm në ato që ka thënë para mediave, derisa të provojë vërtetësinë para një gjykate.

Por ka një dallim të madh mes Dëshmitarit Iks dhe atij Ypsilon: Haxhia iu dorëzua drejtësisë për të dëshmuar, ndërsa Veliu iu dorëzua PD-së dhe dëshminë e dha nga selia blu.

Analiza e fjalëve të vlonjatit, që sot për PD-në është “heroi” i tyre, tashmë është bërë gjerësisht nga mediat. Prej orësh janë zbardhur kontradiktat e tij për dënimet që ka kryer apo Agron Xhafajn koprac që s’i dërgoi një paketë në burg, por më pas ia futi djalin në punë si kamarier…

Nga ana tjetër, Izet Haxhia konsiderohet një “kriminel” nga Sali Berisha. Po ashtu edhe Saimir Tahiri, Agron Xhafaj e plot të tjerë që kanë qenë nën akuzë politike. Sepse t’i dorëzohesh vullnetarisht drejtësisë për t’u hetuar nuk është standard që Partia Demokratike e ka njohur ndonjëherë. Të pengosh drejtësinë dhe të mos dorëzosh të akuzuarit, kjo po! (Kujto të paktën gardsitët e 21 Janarit).

Shumë pikëpyetje ngrihen sot mbi Dëshmitarin X, që PD nuk e dorëzoi në Prokurori ashtu sikurse edhe audio-përgjimin. Madje treshja e juristëve as dënjoi t’i përgjigjej ftesës së organit të akuzës duke i mëshuar të vetës se kjo drejtësi është e kapur.

Gjithësesi, e kapur ose jo, askush nuk beson se Prokuroria do t’i marrë jetën Alibeajt, Bardhit, Salianjit apo Veliut. Thjeshtë kërkohet një dëshmi mbi ato që dinë apo kanë parë.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com