Shumëkush mund të mendojë se në Pogradec bizneset që kanë më shumë të ardhura gjatë gjithë vitit janë ato që ofrojnë shërbime për turizmin, por në fakt këto biznese kanë një konkurrent të fortë.
Janë pikërisht pikat e basteve dhe të kumarit ato që kanë zhytur qytetin turistik në një dembelizëm të thellë që vjen edhe nga mungesa e vendeve të punës.
Bashkia e Pogradecit është në fakt bashkia me numrin më të lartë të të papunëve dhe numrin më të madh të të varfërve, e cila vazhdon t’i mbajë shpresat te kumari
Këto pika të lojërave të fatit në Pogradec janë shpërndarë në qendër, anës liqenit dhe deri në periferi. Ato hapen herët në mëngjes dhe mbyllen vetëm pas mesnate.
Fenomeni shqetësues mbetet një ndër faktorët kryesorë të divorceve, por para se të shkojnë në shkallët e gjykatës frekuentuesit e tyre në këmbim të vlerave monetare lënë peng aparate celulare, pajisje elektronike, automjetet e në raste ekstreme edhe pronat e paluajtshme.