Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka paraqitur projektin rehabilitues i cili do të shndërrojë bulevardin “Ismail Qemali” në Vlorë.
Pas përfundimit të “Lungomares”, duket se rehabilitimi i radhës do të ketë gjithashtu një impakt të madh te ndryshimi te qyteti bregdetar.
FSHZH-ja bën me dije se guri që do të përdoret për shtrimin e Bulevardit “Ismail Qemali” në Vlorë është me origjinë nga zonat e Vlorës, Beratit dhe Lezhës.
Janë 5 lloje tonalitetesh të gurëve të përzgjedhur dhe kryesisht mbizotëron ngjyra gri dhe bezhë, tipike e gurëve të Malësisë së Vlorës. Gurët do të shtrohen në 4 modele mozaikësh, që do të jenë të shpërndarë në një sipërfaqe prej 63,000 metra katrorë.
Ndërkohë po punohet me nënshtresat në trup të rrugës, si dhe me vendosjen e tubave të ujësjellësit në të dyja anët e rrugës. Paralelisht me këto punime vazhdon betonimi i të gjitha pusevate të ujësjellësit dhe të linjave rezervë.
Projekti dhe punimet në bulevardin “Ismail Qemali” në Vlorë
Projekti për rikonstruksionin e bulevardit “Ismail Qemali” Vlorë financohet nga qeveria shqiptare dhe Banka e Këshillit të Europës dhe parashikohet të përfundojë në pranverën e vitit të ardhshëm. Bulevardi “Ismail Qemali” do të lidhë monumentet historikë dhe kulturorë të Vlorës, që sot janë të ndarë dhe të palidhur, për të krijuar bërthamën kulturore dhe historike të qytetit.