Tashmë trëndafilat kanë çelur e gjenden kudo, sidomos në tregjet e fshatarëve e jo vetëm.
Për shumë shqiptarë shurupi i trëndafilit zgjon ndjesinë e nostalgjisë për kohët e dikurshme, kur ishte një ndër pijet më të veçanta që zonjat e shtëpisë përgatisnin kur trëndafilat çelnin nëpër oborret e shtëpisë por edhe në natyrë.
Që nga shekulli X e deri në ditët e sotme shurupi i trëndafilit konsiderohet si një ndër tonikët më fantastik jo vetëm për shijen delikate por edhe për efektet mirëbërëse që petalet e trëndafilit kanë për organizmin dhe bukurinë e jashtme.
Nëse e përdorni trëndafilin për aromën e tij, duhet të dini që kjo lule ka efekt qetësues dhe zbutës për trurin.
Petalet e trëndafilit janë përdorur kryesisht në mjekësinë popullore për të detoksifikuar dhe qetësuar gjithë organizmin.
Shurupi i trëndafilit ofron qetësi shpirtërore dhe mendore duke luftuar stresin.
AgroWeb.org sjell më poshtë recetën e përgatitjes së shurupit të trëndafilave në shtëpi.
Përgatitja e Shurupit të Trëndafilit
Petalet e 10 trëndafilave
250 gr sheqer
1 l ujë
Lëngu i një gjysme kokrre limoni
Përgatitja
Përzieni në një tenxhere ujin me petalet e trëndafilave dhe lërini me kapak të mbyllur për 24 orë.
Më pas, vendosni tenxheren në zjarr, të shtoni aty sheqerin dhe pasi sheqeri të jetë tretur plotësisht shtoni lëngun e limonit.
Lëreni të ziejë edhe për 5 minuta e më pas lëreni të ftohet dhe ruajeni në kavanoza në frigorifer.
Kullojeni para se ta konsumoni.
Vlerat dhe përfitimet për shëndetin nga petalet e trëndafilit
Petalet e trëndafilit luftojnë bakteret në mënyrë natyrale duke ndihmuar mirëqenien e lëkurës.
Sipas të dhënave trëndafili përmban sasi të mëdha të vitaminës C që në vetvete është një antioksidant i fuqishëm.
Kjo vitaminë e rëndësishme ju ndihmon të kuroni dëmet e shkaktuara tek qelizat e lëkurës, si për shembull nga ekspozimi për një kohë të gjatë në diell. Merrni dy grushta me petale petale dhe zhytini në 100 ml me ujë.
Pas 2 ose 3 orësh, shtypini petalet në ujë, filtrojeni dhe e keni gati për përdorim.
Disa studime kanë treguar që uji i trëndafilit ndihmon në parandalimin e djegies nga dielli.
Trëndafili është plot vlera për ata që kanë një lëkurë të ndjeshme, sepse sheqernat tek petalet krijojnë një ndjesi të këndshme qetësimi tek lëkura.