Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka bërë përurimin e një ure që lidh Rusinë me Krimenë, rajonin të cilin ushtria ruse e aneksoi nga Ukraina, shkruajnë mediat ndërkombëtare. ‘Projekti i shekullit’, siç e quajti Putin këtë udhë përbën një ndër hapat kryesorë të ‘ribashkimit me Krimenë’, pas katër vitesh të aneksimit. Për ta përuruar urën e gjatë gati 20 kilometra, Putin udhëtoi me një kamion mallrash dhe udhëtoi nga Rusia drejt Krimesë.
“Ju uroj për këtë ditë historike. Në disa epoka të ndryshme ne kemi ëndërruar që ta ndërtojmë këtë urë, dhe tash e kemi realizuar ëndrrën për shkak të punës dhe talentit tonë”, u tha Putin punëtorëve në këtë inaugurim. Ai shtoi që kjo urë do të shërbejë për transportimin e rreth 14 milionë njerëzve çdo vit duke bërë që Krimea dhe Rusia të afrohen njëra me tjetrën.
Ky projekt që ka kushtuar rreth 3 miliardë euro ka qenë një prej projekteve që Putin i ka vëzhguar personalisht, bashkë me punimet rreth Lojërave Olimpike të vitit 2014 dhe Kupës së Botës më 2018. Për ta realizuar urën gjigante kanë punuar 15 mijë punëtorë për rreth 27 muaj.