Ministrja e Arsimit në kuadër të llogaridhënies publike “Puna për Shqipërinë që Duam”, nga Rrogozhina informoi qytetarët se drejtuesit e shkollave të fëmijëve të tyre do të jenë njerëz të mirëtrajnuar në Shkollën Drejtorëve dhe nuk do të jenë më as drejtorët e politikës e as të korrupsionit.
“Kemi ende drejtorë shkollash që sillen si bajraktar, kemi ende drejtorë që përpiqen t’i ndajnë mësuesit në tanët dhe tyre, kemi drejtorë shkollash që janë aty për të bërë çdo gjë tjetër por jo misionin e tyre. Kjo është beteja jonë e radhës që do ta zgjidhim me Shkollën e Drejtorëve.
Ne fillojmë një proces të ri duke e bërë atë edhe ligjor, kemi një debat në Parlamentin e Shqipërisë në mënyrë që drejtuesit e shkollës të mos jene të zgjedhur nga partia apo aq më keq korrupsioni por të jenë njerëzit më të mirë për të bërë të mundur transformime cilësore në të gjithë Shqipërinë.
Shkolla e Drejtorëve e cila do të bashkëfinancohet nga Fondi Shqiptaro Amerikan për Zhvillim do të jetë një shkollë e parametrave evropianë që do të mundësojë kushdo që është në krye të shkollës apo edhe ata që aspirojnë për të udhëhequr dhe menaxhuar një shkollë në Shqipëri, të kenë së pari formimin e nevojshëm për të garantuar se kjo do të jetë e mundur dhe nuk do të jenë aty njerëzit që merren me çdo gjë tjetër përveç se me atë që janë zgjedhur për të bërë nuk merren”, tha Nikolla.