Loading...

Karbunari : Fshati që Vjosa e ndryshon në vazhdimesi vijën kufitare të tij me fshatrat fqinjë. Prandaj edhe sipërfaqja totale e fshatit ndryshon në varësi të “tekave” të lumit.

Karbunari është një fshat që ndodhet në rrethin e Vlorës dhe nga ana administrative bën pjesë në Bashkinë Selenicë. Koordinatat e tij janë 40°31’5 gjerësi verioredhe 19°42’1O” gjatësi lindore.

I pozicionuar në të majtë të rrjedhës së poshtme të lumit Vjosa, i cili e qarkon atë në formë bumerangu për rreth 5-6 km. Fshati ndodhet 28 km në lindje të Vlorës. Ai kufizohet me fshatin Rexhepaj 6.6 km në jug të tij, me fshatin Kocul 7.1 km në jugperëndim, me fshatin Rromës 3.7 km dhe qytetin Selenicë 7 km në perëndim.

Karshi tij në forëm gjysëm hëne janë fshatrat e Mallakastrës Sipërme, përkatësisht: Drizari, Poçemi 3.4 km e pak më tej Klosi, Hekali e përbri tij Mollaj. Ai shtrihet në kodrat Vishinë, Zotaj, Liçaj, Haskaj e Milarak si dhe në luginëzat ndërmjet tyre. Brënda kufijve të tij gjeografik ka një sipërfaqe totale prej 1310 ha, nga kjo rezulton e punuar 515 ha, 250 ha ullishte e pemishte dhe 545 ha kullota e pyje .

Vjosa e ndryshon në vazhdimesi vijën kufitare me fshatrat fqinjë. Prandaj edhe sipërfaqja totale e fshatit ndryshon në varësi të “tekave” të lumit.

Relievi

Nga pikpamja gjeologjike fshati Karbunar dhe zona përreth tij bëjnë pjesë në sistemin neogjenik me struktura flishore e konglomerate argjilo-ranore. Kodrat e buta që përbëjnë shtyllën kurrizore të territorit shtrihen në formë këndi të drejtë me drejtim veri-jug dhe perëndim-lindje.

Duke filluar nga maja e Vishines, me kuotë 220 m në kulmin e këndit, vazhdon në jug me qafën e Kolozgjinit , majën e Përgjafit dhe përfundon me Majën e Madhe, me kuotë 251 m nga niveli i detit, ndërkohë që vargu i kodrave me drejtim lindor është Vishinë – Liçaj – Bregu i Skëndos dhe Shkujkë, që janë më të ulta se të parat. Fushat rrëzë tyre, si Trubulli në perëndim të fshatit, Bogdani në veri dhe Çezma e Madhe në juglindje zënë gati 50% të tokave të bukës dhe kanë strukturë rano-argjilore e aluvionale.

Tokat me pjerrësi të lehtë në harkun Qemale – Frashër – Gashtare – Gjokome janë kryesisht argjilo-ranore dhe shtrihen në faqen juglindore të kodrave të mësipërme. Kuota e fushave është rreth 30 m mbi nivelin e detit. Lumi Vjosa që ndodhet 3-5 m nën nivelin e fushave herë pas here në vite e shekuj i gërryen ose i mbath ato. Në hartat sizmiologjike të Shqipërisë Karbunari dhe gati 2/3 e territorit shqipëtar përfshihen në zonën me intensitet 8 ballë të shkallës Rihter.

Emri “Karbunar” mund të shpjegohet në disa variante:

-Nga fjala e vjetër latine “carbone”= qymyr. Mendohet që ky emër të jetë prej periudhes romake. Në fakt rajoni ku shtrihet karbunari ishte shumë i pasur me dru si lisi,mbretja, ilqja etj, të cilët janë të përshtatshëm për prodhimin e qymyrit, që përdorej nga romakët në përpunimin e metaleve.

-Nga fjala arumune (vllehe) “carne bună” që do të thotë “mish i mirë”.

Më i pranueshëm është varianti i parë, që përkon edhe me një shënim që na vjen nga biografët e Konsullit Romak Paolo Emili, i cili në ekspeditën e tij kundër Ilirisë dhe Maqedonisë shënon:”Në vitin l67 p.e.r. legjionet tona kaluan përbri Karbunarit për të shkuar matanë lumit Aoosa në marshimin tonë kundër Perseut të Maqedonisë.”

Sipas gojëdhënave, në lashtësi vëndndodhja e Karbunarit ka qënë në Bregun e Helmit dhe nga shekulli i IV-VI pas Krishtit është zhvendosur në vëndndodhjen e sotme, rreth 2 km më në veri të tij për shkak të ndonjë shpërthimi të beftë gazi metan, gjë që shpjegon edhe emrin Breg i Helmit. Në mbështetje të kësaj hipoteze janë, së pari: pohimi i Paolo Emilit në biografinë e tij, në të cilën ai përmënd fjalët “kaluan përbri Karbunarit” që përkon me vëndin që quhet Bregu e Helmit. Së dyti: gjetja në Bregun e Helmit e mbetjeve të ndërtimeve të lashta, si copa qeramike në formë pllakash, varreza të lashta që kanë dalë në pah ndër shekuj e sidomos kur aty filluan punimet e thella me traktor nga viti l956 e këtej.

Së treti: egzistenca në toponimine e Karbunarit e një vëndi që edhe sot quhet “qafa e Kishës” e cila është disa qindra metra në perëndim të Bregut të Helmit, pranë majës së Përgjafit. Edhe sot atje gjënden mbetje qeramike e gurësh të fragmentuar, si dëshmi që në lashtësi në këtë zonë ndodhej një kishë, tregues i pranisë të një komuniteti besimtarësh në afërsi të saj. Një dëshmi tjetër është gjetja, në vitet ’60 të shekullit të kaluar, e një stele bujku me shkrime romake të shekullit të IV të erës sonë, në parcelën Sheshe-Strugë, rreth 300m ne juglindje te Bregut te Hemit.

Kjo stele presupozohet të jetë e periudhës kur fshati ka qënë në Breg të Helmit. Ngulmimi në truajet e sotme mendohet të ketë ndodhur ndërmjet shekujve të IV-VI të erës sonë.

Ndërtimi i Kishës dhe i mozaikut në mjediset e brëndëshme të saj në vendin e quajtur Bregu i Kishës është i periudhës Paleokristiane, që përkon me shekujt e mësiperm. Simbas studimeve të Institutit të Monumenteve të Kulturës, me ekspeditën e kryer në vitin 1989 nga arkeologët Sotir Kosta dhe Mensur Bezhani është arritur në përfundimin se mozaiku ekzistues “Është i teknikës polikrome, me gurë mesatare dhe nga stili mendohet t’i përkase periudhës së vonë antike.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com