Nga Xhelo Petoshati
Gjatë Luftës së Dytë Botërore në zonën e Karaburunit dhe konkretisht në Gjongjilekë, më pas në Gramë u vendos dhe vazhdoi aktivitetin e tij një mision anglo-amerikan, i cili përfshinte tre grupe zbulimi M16, SOE dhe OSS. Të tria këto organizata ushtarake të zbulimit, ndonëse ishin të vendosura së bashku në një shpellë për shkak të vështirësive të furnizimit me materiale për luftë dhe jetesë, secila prej tyre kishte detyrat e saj të veçanta. Ky mision, mbante lidhje të vazhdueshme me Komandën Aleate të Mesdheut, me qendër në Kajro të Egjiptit dhe më pas në Bari të Italisë. Në krye të zyrës së misionit shqiptar të OSS ishte civili Harry Fultz, me emrin e koduar “Gates” ose “Plaku”. Ai konsiderohej si ekspert për Shqipërinë, sepse prej vitit 1922 deri në vitin 1933 kishte punuar në Tiranë me detyrën e drejtorit të Shkollës Teknike Amerikane. Harry Fultz u rekrutua nga OSS në fillim të vitit 1943. Ardhja e personelit të këtij misioni është bërë me intervale kohore të ndryshme, me grupe të vogla prej dy deri tre vetash duke lëvizur natën nëpërmjet detit me anije peshkimi ose barka të pajisura me motor. Kjo mënyrë lëvizjeje bëhej me qëllim për t’iu shmangur zbulimit të anijeve apo avionëve të forcave gjermane. Orientimi për të zbritur në breg është bërë me anën e elektrikut të dorës ose me ndezjen e zjarrit nga pritësit.
Misioni i parë anglez që u vendos në Karaburun, erdhi nga Korça në muajin shtator të vitit 1943. Ky mision kryesohej nga majori Gerry Field dhe së bashku me të ishte edhe rreshteri Gimmi Cran me detyrën e operatorit si dhe Sendi Glin (Sandy Glen) një komandant i forcave detare M16. Grupi u strehua në Gjongjilekë, në një shpellë të thellë, rrafsh me detin, e cila ishte e maskuar mjaft mirë dhe shumë e vështirë për tu gjetur. Kësaj shpelle anglezët do ti vinin emrin e koduar Sea View (Syri i Detit) që për lehtësi në versionin shqip do të quhej Panorama. Në përbërje të këtij grupi do të përfshihej si përkthyes dhe koordinator dukatasi Xhelil Çeloaliaj, i cili do të merrej dhe me sigurimin e misionit me roje nga banorët e Dukatit. Majori Gerry Field gjatë kohës së qëndrimit në krye të këtij misioni bëri disa takime me përfaqësuesit e krahinës së Dukatit për problemet e bashkëpunimit midis tyre gjatë luftës. Mori pjesë gjithashtu në çarmatosjen e garnizonit të ushtrisë italiane në Qafën e Përrallit më 11 shtator të vitit 1943. Majori do të largohej nga Panorama në fund të muajit dhjetor të vitit 1943 sepse u plagos me dinamit gjatë gjuajtjes së peshkut. Misioni i dytë i aleatëve zbriti në Panorama më 18 nëntor 1943. Ky grup kryesohej nga Dejl Mekadu ( Dale McAdoo), me emrin e koduar Tanku, i cili do të konsiderohej si misioni i parë i shërbimit sekret amerikan. Bashkë me të ishte edhe amerikani tjetër Don Orhard, i cili kryente detyrën e radio-operatorit. Që të dy këta shoqëroheshin nga një shqiptar nga Tirana, Ismail Karapici si udhërrëfyes dhe përkthyes i disa gjuhëve të huaja. Ky i fundit kishte qenë i burgosur në Itali me jetë burg për shkak të një komploti që kishte pasur si synim vrasjen e diktatorit Benito Mussolini. Pas disa viteve burg, në moshën dyzet vjeçare u lirua nga forcat aleate duke iu bashkuar vullnetarisht këtij misioni. Dejl Mekadu dhe Ismail Karapici u lidhën ngushtë me njëri-tjetrin duke krijuar një sistem efektiv zbulimi.
Misioni i tretë i aleatëve do të vinte në Panorama në fund të muajit dhjetor të vitit 1943. Ky grup kryesohej nga majori Antoni Kueil (Anthony Quayle), i cili ishte një aktor i shquar britanik. Këtu ai zëvendësoi majorin tjetër Gerry Field. Në të njëjtën anije që solli atë ishte dhe serbo-amerikani Nik Kukiç, i njohur me pseudonimin “Galba”, i cili në Panorama do të kryente detyrën e radio-operatorit, madje dhe me fotografimin e gjithçkaje, si dhe me rekrutimin e agjentëve për llogari të shërbimit amerikan. Majori anglez Antoni Kueil gjatë gjithë kohës së qëndrimit të tij në Panorama nuk do të kishte marrëdhënie të mira me të, por në përgjithësi marrëdhëniet e anglezëve me amerikanët gjatë gjithë kohës së luftës në Shqipëri kanë qenë idhnake. Këto dobësi të këtyre aleatëve, Enver Hoxha i shfrytëzonte me mjeshtëri për interesa të veta, duke e shtyrë njërin grup kundrejt tjetrit. Ai deri diku i toleronte amerikanët, ndërsa anglezët i urrente.
Mbas pak kohësh majori Antoni Kueil u detyrua të zhvendoste bazën në një vend tjetër për shkak të hapësirës dhe të sigurisë dhe një nga këto vende që atij iu gjet nga Xhelil Çeloaliaj ishte Gjiri i Gramës, një gji, i cili ishte i mbrojtur mjaft mirë. Hyrja në këtë gji ishte tre herë më e madhe se në shpellë, ndërsa thellësia e detit ishte gjer në breg. Kjo lehtësonte shumë shkarkimin dhe ngarkimin e anijeve me ushqime dhe municion, si dhe hipjen e njerëzve në to. Kjo lëvizje e detyroi atë edhe për shkak të shtimit të numrit të ushtarëve italianë të mbetur mbas kapitullimit fashist, të cilët ishin të detyruar që me ndihmën e aleatëve të ktheheshin në vendin e tyre. Me këta ushtarë ishte dhe gjenerali Adolfo Infante, ish komandant i divizionit “Pinerelli”. Majori Antoni Kueil në punën e tij do të ndihmohej mjaft nga një njeri me aftësi të mëdha intelektuale siç ishte Xhelil Çeloaliaj dhe me ndihmën e tij do të merrte një takim me kryepleqësinë dhe me intelektualët e paktë që kishte në atë kohë në krahinën e Dukatit, pa ndihmën e të cilëve nuk do të mund të kryente detyrat në këtë vend të vështirë dhe të panjohur për të.
Ai do të merrte takime me udhëheqës kryesorë të Brigadës V Sulmuese më se dy herë në fshatin Brataj dhe Gumenicë nga ku do të dëgjonte mendimet dhe kërkesat e tyre ndaj aleatëve. Po ashtu ai do të shkonte edhe në fshatin Vuno. Ishte pikërisht Antoni Kueil që më 25 mars 1944 do të takonte personalisht avokatin Skënder Muço me kërkesën e këtij të fundit. Por problemet që ngriti avokati nuk përputheshin plotësisht me detyrat që i ishin ngarkuar majorit për luftën kundër pushtuesit gjerman. Avokati ishte për një luftë me sa më pak gjakderdhje dhe prishje prone të shqiptarëve, ndërsa aleatët nuk e kishin parasysh këtë gjë. Këtu dua të qëndroj pak te figura e Xhelil Çeloaliaj, një njeri human i shkallës së lartë, patriot shqiptar, pro luftës së aleatëve dhe në shërbim të tyre dhe të saj. Ai i ndihmoi anglo-amerikanët në mënyra të shumta në të gjitha drejtimet duke iu afruar atyre jo vetëm shtëpinë për strehë e ushqim pa asnjë shpërblim, por ai vuri në lëvizje gjithë njerëzit e tij dhe njohjet familjare në shërbim të tyre duke rrezikuar shumë. Ai mblidhte dhe përzgjidhte të gjitha informacionet për zonën e Vlorës, etj. Të gjithë këtë kontribut për aleatët, siç shkruante edhe Fultz, “ai e ka dhënë pa pritur që të shpërblehej as nga ne dhe as nga anglezët.” Por i gjithë ky kontribut i tij nuk u shpërblye nga asnjëra anë sepse ai u vra nga një dorë kriminale antishqiptare në Itali, në Romë fill mbas luftës.
Misioni i katërt do të zbarkonte në Panorama më 20 mars të vitit 1944 me një anije që drejtohej nga një kapiten serb. Ky mision udhëhiqej nga togeri 26 vjeçar Xhejm Hadsën (James Hudson) me emrin e koduar “Bill”. Në këtë mision ai shoqërohej nga togeri shqiptaro-amerikan Tom Stefan me emrin e koduar “Art” dhe nënoficeri shqiptaro-amerikan (minoritar grek) Kosta Ruci. Detyra e Tom Stefanit ishte që pasi të mbërrinte në Panorama, të largohej prej andej dhe të lidhej me Enver Hoxhën, që në atë kohë ndodhej me shtabin e tij në fshatin Odriçan.
Objektivat e misioneve aleate
Vendosja e misioneve të aleatëve në këtë zonë strategjike jo vetëm në rajonin e Adriatikut, por edhe në Mesdhe kishte marrë përsipër të realizonte këto objektiva kryesore:
Së pari, të arrihej nxitja e forcave partizane që me anën e sulmeve të vazhdueshme të bënin të mundur gozhdimin e forcave gjermane, që ishin dislokuar jo vetëm në Shqipëri, por edhe në tërë rajonin e Ballkanit. Pra, në këtë mënyrë, forcave armike nuk do tu jepej mundësia që të shkonin si përforcim i trupave të tyre që në atë kohë ishin duke luftuar me forcat aleate në jug të Italisë.
Së dyti, duke mbajtur këto forca të armikut nën zjarrin e vazhdueshëm të luftëtarëve partizanë aleatëve do tu lihej shteg i hapur në mundësinë e ndonjë zbarkimi që ata mund të ndërmerrnin në rast nevoje në brigjet shqiptare, por edhe në rajonin e Ballkanit.
Së treti, t’u krijohej gjithashtu mundësia forcave aleate për të shpëtuar pilotët e avionëve të tyre, në rast se ata do të hidheshin me parashutë për shkak të dëmtimeve që atyre mund t’u ndodhnin gjatë sulmeve dhe bombardimeve që kryenin gjatë vajtjes dhe kthimit nga zonat naftëmbajtëse të Rumanisë dhe të gjithë zonën e Ballkanit. Një rast i tillë konkret në Shqipëri ishte shpëtimi i 26 infermiereve amerikane dhe ekuipazhi prej katër vetësh, avioni i të cilëve për shkak të një defekti teknik, më 8 nëntor 1943 u detyrua të ulej në afërsi të Belshit të Elbasanit. Pas tre muaj peripecish duke lëvizur dhe strehuar në Berat e gjetkë, u bë e mundur që me anën e këtij misioni nëpërmjet Dukatit të kalonin në Gjirin e Gramës dhe, prej andej me anë të anijeve në Bari të Italisë. Edhe këtu një ndihmë të jashtëzakonshme ka dhënë Xhelil Çeloaliaj, i cili personelin e avionit e strehoi në shtëpinë e tij.
Së katërti, ky mision kishte si detyrë tjetër kryesore që të ndihmonte dhe përkrahte të gjitha ato forca, të cilat ishin të gatshme që të luftonin fashistët italianë dhe nazistët gjermanë pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme politike. Në këtë rast ndihma iu dha forcave partizane sepse ato ishin të angazhuara për një luftë të tillë dhe propaganda për ndryshime shoqërore ishte më e madhe nga ana e partisë komuniste që ndihmohej nga emisarët jugosllavë.