Nga Edlira Gjoni !
Por, Shqipëria ka mbi 20 mijë fëmijë në mbarë vendin që janë viktimë e përbuzjes, ngacmimit, bulizmit. Shahen, tregohen me gisht, përjashtohen, mënjanohen, abuzohen, kanë frikë të shkojnë në shkollë, aq i madh është bërë lëmshi psikologjik që vuajnë se përbuzen prej shokëve pse janë nga fshati, pse nuk kanë smart phone, pse flasin dialekt tjetër, pse nuk zenë dot të dashur, pse nuk ia hedhin dot zyshës, pse e kanë çantën të përdorur!
Po! Bulizmi në shkollat tona po rritet frikshëm. Edhe abuzimi seksual ndaj vajzave në shkolla. Rastet që dalin në media nuk janë as maja e ajsbergut, se si mësuesit abuzojnë aq rëndë me nxënëset, sa psikologjia e tyre dëmtohet përjetë.
Dhe në gjithë këtë trishtim, ne duhet të marrim biçikleta e flamuj vetëm për 10 a 200 veta që bëjnë zgjedhjet e tyre në jetë?
Të jesh LGBT është zgjedhje. Por të jesh viktimë bulizmi në shkollë është fatkeqësi dy herë: 1) Sepse viktima nuk e zgjedh me dëshirë abuzimin. 2) Sepse ne, shoqëria, media, donatorët, përfaqësuesit e huaj e neglizhojmë dhe bëjmë klasifikime: një abuzim është më i rëndë se tjetri, se kështu dua unë! Të tjerët, kush po pyet?!
Unë jam pro lirisë së zgjedhjeve të çdo individi dhe respektoj të drejtat e çdo gjallese, por nuk e fal dot zgjedhjen e detyrimin e përsëritur për të bërë propagandë favorizuese. Për 200 veta duhet të bëjmë zhurmë, të mbështesim e të heshtim, kurse për 20 mijë a më shumë fëmijë që vuajnë përbuzjen e përditshme, bulizmin e abuzimin, nuk ka gjë. S’ka biçikleta, emisione, foto me kryeministrin, projekte nga çdo donator, maratona, ligjërime publike apo kushte europiane.
E dini c’ju bëjmë me këtë zgjedhe favorizuese vajzave të vogla? I vrasim! Çdo ditë nga pak! Le t’i ngacmojë mësuesi. Le t’i përbuzë klasa. Le të jetë terror psikologjik për mendjen e vogël abuzimi e bulizmi. Nuk kemi kurrë kohë të merremi me to, sepse skena është për një grup vetëm: LGBT
Nëse të drejtat janë të njëjta për të gjithë, atëherë shkeljen e parë e bëjnë të gjithë ata që medojnë se komuniteti LGBT në Shqipëri është më i rëndësishëm për t’u mbrojtur e mbështetur sesa 20 mijë fëmijët që ndrydhen nga bulizmi.
Mos diferenconi! E mbi të gjitha, jo me imponim!