Loading...

”Fatmir Xhafaj ka penguar ekstardimin e vëllait të tij”, ministri i PD rrëzon PD-në: Nuk ekziston një kërkesë e tillë nga Italia

Ish-ministri teknik i Drejtësisë, Gazmend Bardhi, gjatë një interviste për Shqiptarja.com, u shpreh se nuk ka një kërkesë nga autoritetet italiane, drejtuar Ministrisë së Drejtësisë në Shqipëri, për ekstradimin e vëllait të Fatmir Xhafajt, Agron Xhafaj, i dënuar me vendim të formës së prerë për trafik droge.

Teksa opozita akuzon Fatmir Xhafajn se ka penguar ekstradimin e vëllait të tij, duke manipuluar edhe Kodin e Procedurës Penale, përfaqësuesi i PD, Gazmend Bardhi, thotë se nuk ekziston një kërkesë e tillë. Sipas tij, nuk mund të ketë kërkesë për ekstradimin e Agron Xhafaj, për sa kohë Policia Shqiptare nuk ka njoftuar autoritetet italiane, se ky person i dënuar ndodhej në Shqipëri.

Ish-ministri teknik i Drejtësisë, Gazmend Bardhi, përfaqësues i PD, shprehet se Kodi i Procedurës Penale, i ndryshuar, nuk përputhet me Konventën Evropiane të Ekstradimeve.

-Z. Bardhi, në dijeninë tuaj, duke përfshirë edhe periudhën kur ju keni qenë Ministër i Drejtësisë, a ka pasur dhe a ka një kërkesë nga autoritetet italiane për ekstradimin në Itali të vëllait të Fatmir Xhafajt, Agron Xhafaj, i dënuar me vendim të formës së prerë për trafik droge?

Që të ketë kërkesë për ekstradimin një personi, fillimisht duhet të identifikohet se ku ndodhet personi, që është detyrë, sipas ligjit, e Policisë Shqiptare, meqë e dinë se Agron Xhafaj është në Shqipëri. Në momentin që e identifikon personin, i njoftohet Italisë që ky person është në Shqipëri. Nuk mund të ketë kërkesë për ekstradim, pa e ditur se ku është personi. Informimin duhet ta bëjë Interpol Tirana që ky person është në Shqipëri.

-Po si mund ta dinë autoritetet shqiptare, që në Shqipëri është një person i dënuar, kur autoritetet italiane, duke nisur nga origjina e personit të dënuar, nuk e njoftojnë shtetin përkatës, në rastin konkret Shqipërinë?

Informimi bëhet kur autoritet tona ligjzbatuese, kur ka një person që është i dënuar më vendim të formës së prerë, informojnë autoritetet italiane, se ku ndodhet personi.

-Çfarë parashikon Konventa Evropiane e Ekstradimeve për këtë çështje? A e parashikon garantimin e të drejtës së rigjykimit si një nga kushtet e ekstradimit të personit?

Konventa e Ekstradimeve, protokolli dy, njeh të drejtën që ti mund të kërkosh rigjykim, por vetëm rast pas rasti dhe jo për të gjitha rastet. Konventa e Ekstradimeve njeh të drejtën e rigjykimit kur nuk i janë garantuar të drejtat minimale të mbrojtës, konkretisht kur:
-Nuk i është lejuar që të caktojë një avokat.
-Nuk i është caktuar as edhe një avokat kryesisht.

Në momentin që vjen një kërkesë për ekstradim dhe Shqipëria mendon se Agron Xhafajt nuk ishte garantuar e drejta minimale në gjykim, vetëm për këtë rast, kërkohet rigjykimi si kusht për ekstradim. Nëse personit të dënuar në mungesë, i janë respektuar të drejtat minimale të mbrojtjes, por ai vetë ka zgjedhur që t’i fshihet drejtësisë, atëherë jo vetëm nuk kërkohet garanci për rigjykim, por sipas Konventës është e detyrueshme që të lejohet ekstradimi. Kjo është Konventa. Ky është standardi evropian.

-A përputhet Kodi i Procedurës Penale i Shqipërisë i ndryshuar me Konventa Evropiane?

Jo, pse këta e kanë shkruar në Kodin e Procedurës Penale në çdo rast, ndërsa Konventa Evropiane e Ekstradimeve e parashikon rast pas rasti. Asnjë vend i Bashkimit Europian apo SHBA, nuk jep garanci për rigjykim në raste të tilla. Kjo nënkupton që personi i dënuar as nuk ekstradohet dhe as nuk e vuan dënimin në burgjet shqiptare. Rasti i vëllait të Ministrit të Brendshëm, hyn në rastet kur Konventa lejon ekstradimin pa kërkuar garanci për rigjykim.

Kjo për faktin se atij i janë respektuar të drejtat e mbrojtjes të cilat Agron Xhafaj I ka ndjekur deri në fund përmes avokatëve të tij. Dokumentet zyrtare të drejtësie Italiane vërtetojnë se Agron Xhafaj është vënë në dijeni personalisht për ndjekjen penale. Agron Xhafaj ka pajtuar avokat mbrojtës Ai dhe avokatët e tij kanë ankimuar vendimin në Gjykatën e Apelit të Leces dhe më pas në Gjykatën e Lartë Italiane.

Këto ankime dhe provat dhe argumentet e paraqitura nga avokatët mbrojtës janë rrëzuar përfundimisht nga të dyja këto Gjykata. Vendimi është përfundimtar dhe i formës së prerë dhe e drejta e mbrojtjes të dënuarit Xhafaj është garantuar plotësisht. Por Agron Xhafaj, ka zgjedhur t’i fshihet drejtësisë dhe të strehohet në Shqipëri.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com