Loading...

Hadarmataj, në kërkim të rrënjëve të shkarkimit: ja pse gjurmët të çojnë te mandati i zgjatur i Donald Lu-së

Largimi i kreut të Krimeve të Rënda vazhdon të komentohet fortë rreth 24 orë pas vendimit të Arta Markut.

Veç kontekstit politik, kur opozita e trajton shkarkimin e Hadarmatajt si me “urdhër nga lart”, ajo mendon që zonjës Marku nuk i takon ky akt pasi kështu merr kompetencat e Këshillit të Prokurorisë. Ky organ është ende i pandërtuar pret të mbyllet vettingu.

Duke u nisur nga fakti që Arta Marku u zgjodh në krye të organit të akuzës me tym e me çizme, çdo vendim i saj dukshëm do të kontenstohej nga pjesa që nuk e votoi. Ndaj dhe pritej nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme që në vendime të ishte më e kujdesshme me shenja ekuilibri.

Rasti ishte pikërisht me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, sektorin e vetëm që ka mbetur prej kohës Llalla, e ku është në proces dosja përvëluese Tahiri.

Në tetor, Hadarmataj kërkoi lejen për arrestimin e tij, gjë e cila nuk u pranua nga ana e mazhorancës që i dha të gjitha lejet për ta hetuar por jo për ta arrestuar.

Javën e shkuar Saimir Tahiri la mandatin e deputetit, vendim që ende nuk është zyrtarizuar prej KQZ-së. Pra procedurialisht, Prokuroria e Krimeve të Rënda ende nuk ka mundësi të kërkojë arrestin e Saimir Tahirit, ngaqë zyrtarisht ish-ministri është ende deputet.

Shkarkimi i Hadarmatajt, pikërisht pa u zyrtarizuar largimi i Tahirit, logjikisht që do përdorej nga opozita, pasi ai ende nuk e kishte mundësinë për t’i dërguar gjykatës një kërkesë për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm.

Po përse atëherë Arta Marku mori një vendim kaq demonstrativ për ta shkarkuar vartësin e saj tek Krimet e Rënda, akt që në një farë mënyrë u mbështet edhe nga mentorja e Kryeprokurores, ambasada e SHBA-së në Tiranë?

Deri tani ka disa të dhëna kontradiktore. Qarqe të mazhorancës shkruajnë se Hajdarmataj u largua se nuk po ecte përpara në përpilimin e dosjes ndaj Adriatik Llallës, ndërsa qarqe nga opozita shprehen se e gjitha ndodhi për të mos arrestuar Saimir Tahirin.

E ndërkohë, një tjetër version ofroi dhe kryeministri, sipas së cilit Hadarmataj ka ka tentuar të mbyllë – “taposë” tha Rama – hetimet për kokainën. Një akuzë që është shumë e fortë dhe natyrisht duhet pritur për reaksionet e saj.

Por ajo që vjen përtej qarqeve politike në vend, sipas burimeve diplomatike mësohet se bëhet fjalë për një operacion shumë të madh që ka ndërmarrë DEA dhe Interpoli për të hetuar krerët e narkotrafikut shqiptar në Europë dhe Amerikë Latine.

Sipas disa të dhënave shumë të rëndësishme nga agjenci ligjzbatuese të huaja, ka ndodhur praktikisht kjo panoramë:

Krimi shqiptar në Perëndim, pra shpërndarësit e drogës në Europë që kishin krijuar në vite një klientelë në shitjen e heroinës dhe drograve të lehta, pas vitit 2007 u futën në tregun e kokainës.

Futja në këtë treg ndodhi nga lart; pra qarqe të organizatave të fuqishme mafioze në Itali por edhe në Shqipëri, të lidhura në politikën financuan operacionet e blerjes së sasive të mëdha të kokainës në Amerikën Latine e cila u shit nga rrjeti tashmë i krijuar.

Dhe fitimet e mëdha erdhën ose në Tiranë ose në Itali, te “shefat e mëdhenj”.

“Togerë” të rrjetit të mafias së kokainës u shpërndanë në vite në qarqet e politikës duke financuar dhe krijuar lidhje me deputetë, zyrtarë, por edhe bankierë të njohur në vend, natyrisht duke u ekspozuar si operatorë financiarë ose ndërmjetës në sjelljen e investimeve të huaja.

Por gjithçka ka rënë në rrjetën e DEA-s amerikane, e cila vetëm vitin e shkuar e “qepi” totalisht planin e depërtimit të narkotrafikut në politikë, financë dhe shoqërinë shqiptare.

Tashmë ajo thjesht do të zbatojë ndjekjen penale të këtyre aktorëve, madje mësohet se ka me vete edhe pjesë të rëndësishme të ambientit të narkomafias e cila është penduar.

Një përpjekje për të eleminuar dëshmitarët vitin e shkuar, siç ndodhi me Ilir Hidrin në Ekuador dhe disa të tjerë para pak kohësh, mendohet se nuk ka ndikuar fare në planin e madh.

Dhe ka shumë gjasa që heqja e kreut të Krimeve të Rënda, ashtu edhe të tjerëve që pritet të largohen këto ditë, të jenë pjesë e planit të madh.

A do të kontestohen gjithë këto lëvizje nga politika?

Ka shumë gjasa se po; por nga ana tjetër duket se ajo nuk mund të lëvizë një proces që duket i pakthyeshëm dhe varet nga vullnete më të forta.

Jo më kot Donald Lu-së iu zgjat mandati në mënyrë të paprecedentë. /tesheshi.com/

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com