Loading...

Vlorë : Pse vdiq maturantja në mësim, babai tregon bisedën e fundit me vajzën. Akuza shkollës dhe mjekëve

Vdes në klasë nxënësja maturante, ende mister shkaku. Një vajzë vetëm 18 vjeçe ka ndërruar jetë mëngjesin e së mërkurës në qytetin e Vlorës.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatë kohës kur Gerta Kasa, maturante në gjimnazin “Jani Minga”, ishte duke ndjekur mësimet.

18- vjeçarja ka humbur ndjenjat dhe pavarësisht dërgimit me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ajo nuk ka mundur të jetojë.

Mësohet se ambulanca e ka gjetur pa shenja jete gjimnazisten, ndërsa mjekët shtojnë se në momentin që ka mbërritur në spital, nuk kishin se çfarë të bënin.

Fillimisht u dyshua se vajza ka vuajtur nga epilepsia dhe kjo mund të jetë bërë shkak për vdekjen e papritur të saj.

Por, një gjë të tillë e kanë mohuar babai dhe të afërmit e Gretës.

Edhe vetë mjekët e spitalit të Vlorës konfirmojnë se vajza nuk ka vuajtur nga kjo sëmundje, duke shtuar se po ashtu krizat e kësaj sëmundjeje nuk sjellin vdekje të menjëhershme.

Mjekët dyshojnë se 18-vjeçarja mund të ketë pësuar atak kardiak, gjë e cila ka rezultuar fatale për jetën e saj.

Por kjo mbetet ende në kuadër të dyshimeve, pasi do të jetë ekspertiza mjeko-ligjore, ajo që do të nxjerrë shkakun e vërtetë të vdekjes së gjimnazistes.

Familjarët e saj kanë kundërshtuar kryerjen e autopsisë, duke fajësuar mjekët për humbjen e jetës së Gertës.

Ka qenë babai i 18-vjeçares, që ka lëshuar akuza jo vetëm për mjekët, por dhe për drejtuesit e shkollës që, sipas tij, nuk i kanë dhënë ndihmë të shpejtë vajzës.

I irrituar për humbjen e vajzës dhe vonesën e ambulancës, babai i saj ka kërkuar shpjegime nga mjekët për shkakun e vdekjes.

Vetë mjekët kanë refuzuar të japin një përcaktim të prerë, duke i bërë të ditur se do të jetë ekspertiza mjeko-ligjore që do t’i japë përgjigje pyetjes së tij.

I ati shprehet se kishte folur me vajzën në mëngjes dhe se nuk i kishte shfaqur asnjë shqetësim.

Gerta Kasa, ishte vajzë e vetme, e rritur nga gjyshërit, pasi nëna e saj kishte ndërruar jetë vite më parë.

Sipas gjyshes, ajo nuk kishte shfaqur asnjë shenjë të problemeve shëndetësore dhe se gjithçka u ka ardhur papritur.

Mësohet se 18-vjeçarja ka përshkuar një distancë të largët në këmbë për të shkuar në shkollë, gjë të cilën e bënte dhe çdo ditë.

Trupi i vajzës është në morgun e spitalit ku do të kryhen ekzaminimet e nevojshme për të përcaktuar edhe shkakun e vdekjes.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com