Pavarësisht polemikave të shumta, reforma në drejtësi deri më tani i ka dhënë rezultatet e para. Plot 21 gjyqtarë dhe prokurorë nuk janë më pjesë e sistemit të drejtësisë, midis të cilëve disa janë shkarkuar për shkak të procesit të vetingut e disa të tjerë janë larguar vetë. Procesi i spastrimit të drejtësisë është asistuar që në fillim nga misionet diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
Ndërkohë që momentalisht procesi i vetingut dhe seancat dëgjimore që zhvillohen me prokurorë dhe gjyqtarë janë të monitoruara dhe asistuara nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Rezultatet e arritura deri tashmë, pra 21 emra të larguar, janë një sinjal i qartë që SHBA-BE po i japin politikës shqiptare dhe drejtësisë, shkruan “Sot”. Ndërkombëtarët po iu tregojnë si politikanëve, ashtu edhe gjyqtarëve e prokurorëve që e kanë marrë shumë seriozisht reformën në drejtësi dhe se të gjithë ata që rezultojnë me probleme do të largohen.
21 emrat që kanë rënë në “rrjetën” e vetingut u “shërbejnë” SHBA-BE për të theksuar edhe një herë se reforma në drejtësi është një proces shumë i rëndësishëm dhe serioz dhe se rezultatet e tij do të vijojnë të rriten dita-ditës.
Nisur nga bilanci momental i procesit të rivlerësimit, deri më tani nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit janë shkarkuar 4 gjyqtarë dhe prokurorë sepse nuk justifikonin dot pasurinë: Fatos Lulo (Gjykata Kushtetuese); Besim Trezhnjeva (Gjykata e Apelit Durrës); Besa Nikëhasani (Prokuroria Shkodër); Altina Xhoxhaj (Gjykata Kushtetuese). Sakaq, 17 “aktorë” të tjerë të drejtësisë janë larguar nga detyra vetë, pavarësisht se procesi i vetingut ka filluar. Ndër to mund të përmendim: Ilir Çeliku (gjyqtar, Gjykata e Apelit, Vlorë); Mirela Fana (gjyqtar, Gjykata e Lartë); Ilir Pashaj (gjyqtar, Gjykata e Shkallës së Parë, Elbasan); Adriatik Llalla (ish-kryeprokuror); Besnik Imeraj (ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese); Vladimir Kristo (Gjykata Kushtetuese), etj.