Në kuadër të reformës së ujit, në prag edhe të sezonit turistik, Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve në Vlorë është përqendruar në subjektet hoteliere përgjatë bregdetit.
Grupet në terren kanë nisur që prej ditës së djeshme evidentimin e situatës së këtyre subjekteve.
Drejtori i Ujësjellës Kanalizimeve, Dorian Xhelili, tha se “qëllimi i aksionit është vazhdimësia e punës. Po vijojmë me të njëjtat ritme dhe me të njëjtin intensitet duke vlerësuar në maksimum aksionin për evidentimin dhe ndërprerjen e të gjitha lidhjeve të jashtëligjshme”.
“Duke qenë se jemi në sezonin turistik këto aktivitete janë në fokus të kontrollit dhe monitorimit nga ana jonë. Ne kemi bërë verifikimin e të gjithë situatës së bashku me kolegët ku kemi konstatuar dhe kemi parë që situata është normale dhe nuk kemi ndonjë rast abuzimi për momentin”, theksoi Xhelili.
Sipas tij, aksioni do të jetë i përqëndruar më shumë në zonën bregdetare ku në fokus do të jenë hotelet dhe kapaciteti i tyre.
“Në hotele po shikohet mënyra nëse janë apo jo të lidhur këto subjekte me shoqërinë tonë, nëse kanë kontrata dhe nëse kanë lidhje të jashtëligjshme, ndërsa verifikohet edhe situata e matësit. 27 raste të subjekteve i kanë kaluar organeve kompetente, ndërsa vijojnë edhe ndjekjet penale. Janë vendosur 560 masa administrative dhe janë gjoba të vjela nga shoqëria jonë”, bëri të ditur Xhelili.
Ai shtoi se kemi edhe raste që abonentët apo klientët kanë ardhur për të formalizuar situatën me shoqërinë tonë.
“Gjatë kësaj periudhe janë lidhur 2800 kontrata të reja, këto janë të gjitha kontrata me vendosje matësi. Kemi një numër të konsiderueshëm akt-marrëveshjes të cilat i kemi lidhur dhe kemi vendosur edhe 3900 matësa, veç kontratave që unë përmenda pak më sipër”, tha Xhelili./ATSH