“Është një cunami i ngadaltë”. Kështu e kanë cilësuar ekspertët e shëndetit një fenomen që sa vjen e bëhet më i fortë: rezistencën e sëmundjeve ndaj antibiotikëve. Drejtoresha e përgjithshme e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Margaret Chan, e ka ngritur këtë shqetësim në fjalimin e saj në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, në të cilën u aprovua një dokument i përbashkët me firmën e përfaqësuesve të 193 vendeve.
Disa të dhëna tregojnë se sa të rënda mund të jenë pasojat e rezistencës ndaj antibiotikëve. Një epidemi tifoje shumë rezistente po përhapet në disa zona të Afrikës, në 105 vende të botës janë regjistruar forma rezistente të tuberkulozit, ndërsa rreth 200 000 bebe vdesin në botë gjatë një viti për shkak të të ashtuquajturave superbaktere.
Sipas një parashikimi të qeverisë së Britanisë së Madhe, nëse aktualisht në nivel global ka rreth 700 mijë njerëz që për shkak të rezistencës ndaj antibiotikëve vdesin nga bakteri sepsis, brenda vitit 2050, kjo shifër do të arrijë në 10 milionë.
Në dokumentin e hartuar mbi 15 pika, parashikohet zhvillimi i një plani kombëtar për të frenuar përdorimin e antibiotikëve në ndërmarrjet agrikulturore, zhvillimin e ilaçeve të reja dhe ndërgjegjësimin e personelit mjekësor dhe pacientëve për përdorimin e përgjegjshëm të këtyre ilaçeve. Gjithashtu, në këtë dokument vendoset edhe ngritja e një komiteti koordinativ, që do të mblidhet në shtator 2018 për të studiuar progresin e arritur në lidhje me këtë çështje.
Megjithë këto përpjekje, nuk mungojnë kritikat. Në një artikull të publikuar në numrin e fundit të revistës shkencore “The Lancet”, Ramanan Laxminarayan, drejtor i Qendrës për Dianmikën e Sëmundjeve dhe Politikat Ekonomike në Uashington, thotë se masat e marra dhe të parashikuara deri tani janë akoma shumë të dobëta përballë rrezikut.