Funksioni i kritikës nuk është të shpjegojë artin, por të jetë një procedurë përmes së cilës të verifikohen një ose disa hipoteza, që lidhen me “strukturën e jetës”, modifikimin dhe studimin e variablave të vënë në lëvizje nga vepra (ngjyra, gjesti, lëvizja, dashuria, përbërja, kohëzgjatja, materialja dhe kështu me radhë). Duke shkruar rreth Kruger dhe Sherman, Ouens “eksperimenton” strukturën e jetës së tij, ashtu siç mund ta përjetojmë sot me Narcisistin.
Shkruan Paul B. Preciado
Një libër, thoshte Derrida, është një mesazh që dikush ka shkruar dhe që mund të lexohet edhe nëse dërguesi ka vdekur, madje duhet të lexohet, sikur dërguesi të ketë vdekur tashmë. Një libër është një mesazh i një të vdekuri – pavarësisht nga tiparet jetësore të autorit – në kërkim të një lexuesi të gjallë, që të jetë në gjendje ta deshifrojë. Për këtë arsye, librat janë si zombie, që na kërkojnë dhe na gjejnë.
Ndonjëherë, dikush vepron si një emisar dhe në mënyrë të pavetëdijshme, na dorëzon tek një nga këto vampirë. Ndonjëherë një libër na pret në një raft a një tezgë, mes një gote të madhe birrë bavareze dhe një tavëll duhani me pamjen gjysmë të shuar, të Maradonës.
Pak ditë më parë, piktorja amerikane Ena Suansea më solli një mesazh nga Craig Ouens, në formën e një libri të vogël. Nuk e kam fjalën për muzikantin Craig Ouens, por kritikun e artit, një nga pionierët e reflektimit mbi format specifike të praktikave mikropolitike feministe dhe femërore, në artin bashkëkohor. Libri është transkripti i intervistës që artisti amerikan Lyn Blumenthal bëri me Ouens në vitin 1984.
Dëgjoj zërin jomaterial të Ouens, i cili më jep mesazhin që prisja, teksa vazhdoj të shkruaj një libër mbi historinë politike të trupit. Meqë ra fjala, pyes veten se çfarë kuptimi mund të ketë sot, të ruash dallimin klasik mes filozofisë dhe – unë nuk do të thosha letërsisë, e cila ka një histori të veçantë dhe një funksion social – letërsisë artistike.
Të rivihesh në diskutim
Sieropozitiv që nga vitet tetëdhjetë, Ouens ndërroi jetë në 1990, para mbërritjes së antiretroviraleve. Ishte vetëm 39 vjeç dhe la pas një koleksion shkrimesh brilantë, që nuk deshi t’i botonte kur ishte gjallë, dhe që miqtë i transformuan në libër: “Përtej njohjes: përfaqësimi, pushteti dhe kultura”.
Në këta tekste, Ouens shprehet si një derridian, ndoshta i vetëdijshëm se do të lexohet vetëm pas vdekjes. Në intervistën e tij, Ouens shpjegon se është edukuar me ndarjen mes zërit të tij dhe zërit të kritikës. Dhe se si, ka qenë praktika e letërsisë, që ka shpërbërë në mënyrë progresive këtë dallim.
“Kam kuptuar”, thotë Ouens, “që në procesin e shkrimit, ajoq ë përpiqesha të kuptoja nuk ishte vetëm një vepër e caktuar, por shkrimi i jetës sime”. Kështu, kur kritiku shkruante një tekst mbi Dana Birnbaum, duke reflektuar mbi logjikën narcisiste të mjeteve të komunikimit (dhe kjo shumë kohë përpara ekzistencës së Fejsbukut), vetëdijësohej se punonte në realitet mbi narcisizmin e vet. Ouens pohonte se kishte ndryshuar marrëdhënien me vetveten, ndërkohë që shkruante mbi veprën e Barbara Krugerit.
Kritika, paralajmëron Ouens, është gjithmonë një punë në të cilën ne “vëmë në dyshim”, jo në kuptimin individual apo personal, por si hulumtim mbi dimensionin e ndërtuar, kolektiv dhe shoqërisht të vendosur të subjektivizmit, të asaj që Ouens e quan “struktura e vetë jetës”.
Në këtë rast vepra e marrë në shqyrtim, qoftë nëse është fotografia e Cindy Sherman, qoftë veprat e Barbara Kruger, ofron një “objektivitet material”, që lejon të “eksperimentosh” sjelljen e termave që mund të jenë thjesht personalë dhe autobiografikë, ashtu sikurse një tub vakumi lejon fizikantin të “eksperimentojë” sjelljen e një grimce.
Funksioni i kritikës nuk është të shpjegojë artin, por të jetë një procedurë përmes së cilës të verifikohen një ose disa hipoteza, që lidhen me “strukturën e jetës”, modifikimin dhe studimin e variablave të vënë në lëvizje nga vepra (ngjyra, gjesti, lëvizja, dashuria, përbërja, kohëzgjatja, materialja dhe kështu me radhë). Duke shkruar rreth Kruger dhe Sherman, Ouens “eksperimenton” strukturën e jetës së tij, ashtu siç mund ta përjetojmë sot me Narcisistin.
“Që kur kam shkruar mbi pozën, në veprën e Barbara Kruger dhe Cindy Sherman”, thotë Ouens, “kam mundur të përfaqësoj pozën time, dhe tani di të njoh më mirë maskat e mia normative, edhe pse ende nuk jam i aftë të ndërtoj të tjera”.
Kjo nuk do të thotë se subjektiviteti është subjekt i filozofisë. Subjektiviteti është forma dhe jo përmbajtja e filozofisë. Filozofia nuk parashtron një pyetje mbi domethënien e diçkaje, qoftë një vepër arti, një koncept, një fenomen apo historia. Detyra e filozofisë është ajo që të lejojë hyrjen në kontakt me diçka, tek e cila deri në atë moment nuk kishim qasje. Ajoq ë filozofia ndërton dhe modulon është pra marrëdhënia, duke krijuar një proces subjektivizimi, i cili më parë nuk ekzistonte. Për këtë arsye, filozofia është si arti, një çështje fiksioni. /Bota.al