Loading...

U vra dhe u dogj në makinë, identifikohet shtetasi kosovar (Emri)

Një krim i rëndë u zbulua mesditën e të shtunës në fshatin Derven të Fushë Krujës.

Brenda një makine të shkrumbuar u zbulua nga Policia një kufomë e karbonizuar, i cili dyshohet se para se të digjej, është ekzekutuar me armë zjarri. Kanë qenë banorë të fshatit që pikasën tymin në një zonë të thellë (në fundin e një are) dhe lajmëruan Policinë. Sot policia ka shoqeruar disa persona ne Komisariat, disa ne cilesine e personave qe kane dijeni per ngjarjen dhe te dyshuar per krimin te cileet po merren ne pyetje.

Menjëherë, në vendin e ngjarjes mbërritën forca të shumta Policie dhe drejtues të Krimeve të Rënda, si dhe efektivë të repartit zjarrfikës, që bënë të mundur edhe shuarjen e flakëve. Makina, brenda së cilës u gjetën edhe pjesë të karbonizuara të trupit të një njeriu, ishte me targa të Kosovës.

Nga hetimet paraprake, mjeti rezulton në emër të shtetasit Xhafer Osmani, 57 vjeç, nga Mitrovica. Do të jenë rezultatet e analizave të ADN-së, ato që do përcaktojnë saktë se kujt i përket trupi që u gjet i djegur brenda makinës me targa të Mitrovicës, 02 960 SN.

Ekipet mjekoligjore kanë marrë kufomën nga automjeti i djegur për t’i bërë ekspertizën dhe AND-në në morgun e QSUT-së në kryeqytet.

Burimet saktësuan se automjeti ka hyrë në Shqipëri pak ditë më parë përmes Pikës së Kalimit Kufitar të Morinës, konkretisht më datë 29 prill 2018. Mbetet e pakonfirmuar nëse viktima është vetë pronari i automjetit. Grupi hetimor i ngritur për të zbardhur ngjarjen e rëndë po verifikon të gjitha pistat e mundshme, ndërsa po përpiqen të gjejnë prova të mjaftueshme në vendin e ngjarjes.
Për shkak të djegies së shkallës së lartë të kufomës, ekspertët nuk kanë mundur të konfirmojnë ende zyrtarisht nëse viktima është djegur i gjallë, ka qenë i lidhur apo i qëlluar me mjete të forta ose armë zjarri.

“Po punojmë me intensitet të lartë. Në bashkëpunim edhe me Krimet e Rënda, po hetojmë rastin e kësaj ngjarjeje të rëndë. Nuk gjetëm shumë prova në vendin e ngjarjes, pasi trupi i viktimës është shkrumbuar totalisht dhe gjithçka që gjetëm ishin vetëm disa mbetje të karbonizuara të trupit të një njeriu. Përmes hetimeve dhe verifikimeve arritëm të zbulonim pronarin e makinës.

Ajo rezulton në emër të një shtetasi nga Kosova, me emrin Xhafer Osmani. Mjeti ka hyrë nëpërmjet Pikës Kufitare të Morinës, rreth 7 ditë më parë. Nga verifikimi që kemi kryer, ky shtetas nuk rezulton të jetë kthyer në Kosovë. Po tentojmë të bashkëpunojmë me Policinë e Kosovës për të mbledhur të dhëna rreth këtij personi dhe së shkuarës së tij. Gjithashtu, edhe për të mësuar nga familjarët përse kishte ardhur në Shqipëri”, thanë burime nga grupi hetimor.

Paraprakisht, grupi hetimor ka ngritur disa pista hetimi, duke e klasifikuar si ngjarje kriminale. Agjentët e hetimit po bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës për të mësuar mbi personalitetin e 53-vjeçarit, të shkuarën e tij, nëse ka pasur precedentë dhe ndonjë konflikt të mundshëm në Kosovë ose Shqipëri.

Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur mbrëmë se nga të dhënat e mbledhura, ka dyshime se ky shtetas mund të ketë mbërritur në Shqipëri pasi ai kishte krijuar një lidhje intime dhe për pasojë qëllimi i këtij udhëtimi mund të ketë qenë një histori e tillë, që më pas ka përfunduar në tragjedi.

Të njëjtat burime thanë se ka dyshime që i ndjeri ta ketë krijuar lidhjen në zonën ku u gjet trupi, por pasi është zbuluar lidhja, ai është vrarë e djegur.

“Jemi drejt zbardhjes. Kemi dyshime të forta se kemi të bëjmë me një krim të rëndë për shkak të një lidhjeje intime që kishte viktima këtu”, bëri të ditur Policia, pa specifikuar nëse autori i dyshuar mund të ishte bashkëshorti apo familjarë të tjerë të shtetases, me të cilën dyshohet se 57-vjeçari kishte krijuar lidhje.

Mjeti, brenda të cilit u gjet trupi i djegur, u pikas në një zonë shumë të thellë. Dyshohet që viktima të jetë vrarë dhe më pas t’i jetë vënë flaka brenda në automjet./Panorama

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com