Janë më shumë se 180 kriminelë shqiptarë që janë në kërkim të akuzuar për krime të rënda në Greqi, të kryera gjatë 18 viteve të fundit, të cilët thuhet se janë strehuar në vendin e tyre të lindjes.
Kjo sipas të dhënave të siguruara nga media greke “Kathimerini”, e cila thotë se autoritetet greke kanë lëshuar 184 mandate arresti për shtetasit shqiptarë të akuzuar për vepra penale nga viti 2000. Asnjë prej tyre nuk është kapur deri tani, shkruan sot media greke.
Sipas policisë greke, shqiptarët e kërkuar për krime në Greqi janë arratisur dhe fshihen në Shqipëri. Gjatë këtij viti janë lëshuar urdhër-arreste ndërkombëtare për 14 shqiptarë, ndërsa në vitin 2017 u lëshuan 21 mandate kërkimi dhe 26 për vitin 2016.
Zyrtarë të lartë të Policisë Greke kanë thënë për Kathimerini se asnjë prej shqiptarëve të kërkuar nuk është ekstraduar në Greqi, me pretendimin se hasin në vështirësi nga autoritetet shqiptare.
“Në rastet kur kërkojmë ekstradimin e të dyshuarve, pala shqiptare na kërkon të dërgojmë shkresat të përkthyera në gjuhën shqipe në mënyrë që ata të mos ekstradohen në Greqi por të përballen me gjyqin në Shqipëri”, tha një burim policor për “Kathimerini”.